Europa League vendos sot në mbrëmje finalistët e sezonit. Favoritët janë Ajax e Manchester United.

Ekipi holandez është më pranë finales së 24 majit në Stokholm, pasi fitoi takimin e parë me Lyon me rezultatin 4 – 1.

Në Francë duhet ruajtur ky avantazh i çmuar për të qenë në garë për trofeun e fituar vetëm një herë, në vitin 1992.

Francezët nuk dorëzohen, pasi kanë një sulm të mirë madje në fazën e grupeve i shënuan 7 gola në një takim Alkmaarit.

Manchester United pret në “Old Trafford” Celta Vigon. Ekipi i Mourinhos fitoi 1 – 0 sfidën e javës së kaluar.

Manchester mund të kalojë edhe me një barazim, por asgjë nuk është e sigurt. Manchester United nuk e ka këtë trofe në historinë e tij, ndërsa për Celta Vigon edhe mbërritja në gjysmëfinale është një sukses.

Fituesi i Europa League bëhet pjesë e grupeve të Champions League në sezonin e ardhshëm./Tv Klan