60 vjet nga firmosja e Traktatit të Romës, krerët e vendeve të Bashkimit Europian u mblodhën sërish në kryeqytetin italian, duke theksuar njëzëri nevojën dhe vendosmërinë për të vijuar së bashku. 27 liderët europianë nënshkruan edhe një deklaratë të përbashkët, për të shprehur angazhimin se do të mbrojnë idealin dhe unitetin e bllokut, në një kohë jo fort të lehtë për këto vlera.

Mesazhi më i fortë erdhi nga kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili nënvizoi se vetëm e bashkuar Europa mund të përballoje sfidat e mëdha. Për presidentin e Këshillit të Europës Donald Tusk e ardhmja e BE-së është në rrezik.

Donald Tusk (President i Keshillit të Europes): 

Provoni sot se jeni liderë të Europës, se ju e keni përzemër këtë trashëgimi të shkëlqyer që  trashëguam nga heronjtë e integrimit europian. Europa si një entitet politik ose do të jetë e bashkuar, ose nuk nuk do të jetë fare

.

E munguara e madhe në këtë përvjetori ishte Britania e Madhe. Kryeministrja Theresa May pritet të nisë zyrtarisht procedurat e Brexit të mërkurën, pasi mori miratimin e parlamentit.

Ky 60-vjetor u organizua në kushte ekstreme sigurie. Roma ishte totalisht e blinduar, veçanërisht pas sulmit terrorist të 22 marsit në Londër.

Traktati i Romës u firmos në vitin 1957 nga 6 vende, Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu. Këto vende nënshkruan Komunitetin Ekonomik Europian, paraardhësin e Bashkimit Europian që kemi sot.

Tv Klan