Blue Amber

Europol ka vënë në pranga mbi 500 persona, mes tyre edhe shqiptarë, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Ata u arrestuan gjatë megaoperacionit të quajtur “Blue Amber”, zhvilluar në 33 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, nga data 4 maj deri më 24 qershor. U sekuestrua një sasi rekord lëndësh narkotike, 2.8 tonë kokainë dhe 110 kg heroinë.

Operacionet u zhvilluan në 260 zona, në të cilat u kryen arrestimet dhe sekuestrimet e lëndëve narkotike. Europol nuk ka publikuar asnjë nga emrat e të arrestuarve. Trafikimi i lëndëve narkotike bëhej përgjithësisht me kontenierë ose në paketime të vogla përmes korrierëve.

Korrierët që transportonin kokainë udhëtonin nga Amerika e Jugut drejt Europës, kryesisht me avionë. Ndërsa transportuesit e heroinës lëviznin kryesisht nga Afganistani e Pakistani, në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore. Lënda narkotike fshihej prej tyre, në veshje, këpucë e deri në paketime ilaçesh.

Për transportimin e drogës shfrytëzoheshin edhe emigrantët e paligjshëm, që sipas Europol, e kishin shndërruar Hungarinë në një “shtëpi të sigurtë”. Krahas trafikut të lëndëve narkotike, të arrestuarit ishin të përfshirë edhe në trafikim të qenieve njerëzore, të armëve, falsifikimin e mallërave, emigracionin e paligjshëm dhe krimin kompjuterik. Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu 390 mjete dhe mbi 1300 tonë metale të vjedhura të llojeve të ndryshme.

Tv Klan