Të paktën 70 mijë persona janë evakuuar nga qyteti i Selanikut në Greqi, në mënyrë që të bëhet çaktivizimi i një bombe me peshë 226 kilogramë, që i përket Luftës së Dytë Botërore.

Besohet se kjo është një prej bombave më të mëdha të kohës së luftës e gjetur në Greqinë urbane, e për pasojë kërkohet edhe një evakuim masiv.

Bomba u zbulua gjatë punimeve të një rruge pranë një karburanti, javën e shkuar dhe pritet që të çaktivizohet gjatë ditës së sotme.

Zyrtarët thonë se bomba është tepër e degraduar, duke e bërë të vështirë që të përcaktohet nëse i përket Gjermanisë apo aleatëve.

Evakuimi i banorëve brenda një rrezeje prej 2 kilometrash nisi gjatë ditës së shtunë dhe vijon ende.

Disa media e kanë përshkuar këtë operacion si një prej evakuimeve më të mëdha të civilëve në Greqi në kohë paqjeje. Megjithatë

BBC

shkruan se ky pretendim nuk mund të verifikohet.

Sipas zyrtarëve të ushtrisë, një operacion i këtyre përmasave dhe kompleksiteti është i pari në një zonë të populluar të Greqisë dhe operacioni për çmontimin e kësaj bombe pritet të zgjasë rreth tetë orë, por mund të shkojë edhe deri në dy ditë.

Rreth 1 mijë efektivë policie dhe 300 vullnetarë do të shpërndahen në zonë gjatë këtij operacioni. Qytetarëve iu kërkua që të largohen nga banesat e tyre disa ditë më parë.

Një banor i zonës, duke folur për

Associated Press

tha se bomba ishte lëshuar nga avionët britanikë e amerikanë të cilët kishin si objekt të sulmit të tyre bazat gjermane, në 17 Shtator të 1944 –ës.

Forcat gjermane e pushtuan Greqinë nga 1941 deri në Tetor të 1944 –ës.