Pas 7 muajsh nisje nga toka, roboti i Agjencisë Hapësinore Evropiane arriti të ulej me sukses në Mars, por pak minuta përpara uljes, humbi kontaktin me qendrën e kontrollit të ESA-s.

Shpresat për të rilidhur kontaktin me të nuk kanë humbur ende, shprehen zyrtarët e agjencisë hapësinore.

Roboti i dërguar nga evropianët, u quajt “Schiaparelli”, në nder të Giovanni Schiaparellit, astronomit të njohur italian.

Pasi udhëtoi 56 milionë kilometra ai u nda nga raketa e orbitës dhe nisi uljen për në planetin e kuq. Projekti i Agjencisë Hapësinore Evropiane, në bashkëpunim me Agjencinë ruse “Roscosmos”, titullohet ExoMars.

Qëllimi i tij është të kërkojë për shenja jete, duke ekzaminuar gjurmë të mundshme gazi metan.

Shkencëtarët besojnë se metani është një lëndë kimike fort e lidhur me jetën në Tokë, që buron nga mikro-organizmat.

Projekti është tentativa e dytë e europianëve në “planetin e kuq”, pas misionit të dështuar të britanikëve në vitin 2003.

Deri tani vetëm amerikanët kanë arritur të kryejnë kërkime në Mars. Aktualisht NASA ka dy robotë funksionalë që veprojnë Opportunity dhe Curiosity./ TV KLAN