Kandidati Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, do të qeverisë me kryeqytetin edhe për katër vitet e ardhshme, duke marrë edhe një mandat të dytë.

Ky është rezultati i të dhënave nga EXIT POLL i realizuar nga Klan Kosova pas përfundimit të votimit në 19 komunat ku gara kishte shkuar në balotazh.

Këto të dhëna tregojnë që Shpend Ahmeti ia ka dalë të marrë 52.2% të votave kështu duke lënë pas kundërkandidatin e tij nga LDK-ja, Arban Abrashi,  i cili ka mbledhur 47.8% të votave.

EXIT POLL i Klan Kosovës i cili realizohet nga Shkëlzen Maliqi dhe ekipi i tij, ka mbledhur dhe analizuar të dhënat në 11 komuna nga 19 gjithsej sa kanë shkuar në balotazh, njofton Klan Kosova.

Kandidati i AAK-së për Gjakovë, Ardian Gjini ka fituar këtë komunë me 58.0% , sipas Exit POll-it të Klan Kosovës.

Ai ka mundur Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa e cila ka marrë 42.0% të votave.

Në Klinë, ka fituar kandidati PDK-së, Sokol Bashota.

Sipas Exit Poll-it të Klan Kosovës, në komunën e Istogut, gjatë katër viteve të ardhshme do të qeverisë Haki Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Me 55.0%, Rugova, ka lënë pas kundër-kandidatin e tij nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj me 45.0%.

Ndërsa komunën e Suharekës e ka fituar kandidati për kryetar nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj.

 

Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të qeverisë edhe një mandat tjetër si Kryetar i komunës së Gjilanit.

 

Sipas Exit Poll-it të Klan Kosovës, komunën e Prizrenit e ka fituar kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj.

 

Agim Aliu, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, ka fituar edhe në Ferizaj, njofton Klan Kosova.

 

Ndërsa në komunën e Vushtrrisë gjatë katër viteve të ardhshme do të qeverisë Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.