Facebook vjen me risi në Messenger. Që prej ditës së sotme, aplikacioni i Facebook-ut u jep mundësinë përdoruesve të ndajnë me miqtë e tyre privatisht vendndodhjen e tyre, në mënyrë që ata të shikojnë  live lëvizjen e tyre në hartë.

Mesazhi për “shpërndarjen e vendndodhjes” i quajtur “live location” do të funksionojë për një orë nga momenti që një mik jua dërgon, dhe mund ta shikoni në kohë reale sa lëviz dhe afrohet për në takim apo për në shtëpi.

Ky është një lajm i mirë për ata që nuk duan të bezdisen, por është një lajm i keq për ata që e kanë zakon të mbeten vonë për takime, apo për ata që ngandonjëherë thonë “gënjeshtra të bardha” lidhur me vendndodhjen e tyre.

Marrësit e mesazhit mund ta shikojnë dhe parashikojnë se brenda sa minutash personi që ata presin mund të arrijë në vendtakim.

 “’Live Location’ është shumë i dobishëm kur përpiqesh të koordinohesh me miqtë”, tha menaxherja e kësaj veçorie, Selena Wang, duke shtuar se falë kësaj njerëzit mund t’u tregojnë të tjerëve sa afër janë dhe sa shpejt po vijnë.

Kjo është tentativa e dytë e Facebook për të ingranuar hartat në Messenger, pasi herën e parë dështoi plotësisht në vitin 2015, kur shumë përdorues dërgonin vendndodhjen e tyre me secilin mesazh që dërgonin.

Kreu i Messengerit, David Marcus tha se “shumë prej nesh bëjnë plane në Messenger për gjetjen e njëri-tjetrit, ose njoftimi i miqve apo të dashurve se jeni rrugës. Shpërndarja e vendndodhjes live po ashtu do të ndihmojë disa të ndihen më të sigurt rrugës për në shtëpi.”

Por, kujdes kur thoni “jam rrugës” dhe ndërkohë jeni në krevat apo në pizhame dhe nuk jeni nisur ende./tvklan.al