Gjiganti i rrjeteve sociale Facebook ka bërë një hap para në videot e dedikuara duke sfiduar hapur YouTube dhe rrjetet e tjera TV.

Përdoruesit do të mund të shohin shumë shpejt një opsion të ri (Watch/Shiko) që do të ofrojë një gamë programesh, disa prej të cilave të financuara nga rrjeti social.

Watch do të jetë i personalizuar, në mënyrë që përdoruesit të mund të zbulojnë programe të reja, bazuar në atë që po shohin miqtë e tyre.

Shikuesit do të mund të shohin gjithashtu komentet apo të lidhen me miqtë dhe të kenë grupe të dedikuara për programet të ndryshme.

“Të shikuarit një program nuk ka përse të jetë diçka pasive”,

tha themeluesi i kompanisë Mark Zuckerberg, në një postim në Facebook.

“Mund të jetë një mundësi për të ndarë eksperiencat dhe për të bërë bashkë ata që pëlqejnë të njëjtat gjëra”.

Prej kohësh është e mundur të shohësh video në Facebook, megjithatë deri më tani, ato janë kryesisht klipe amatore, të bëra nga përdoruesit apo segmente të shkurtra nga kompanitë mediatike.

Watch pritet të jetë burim të ardhurash të reja si për Facebook ashtu edhe për prodhuesit e programeve, ndërsa përdoruesit duhet të jenë të përgatitur për të parë reklama, para dhe gjatë programit që dëshirojnë të ndjekin./tvklan.al