Mbyllet një nga kompanitë e investimit online. Stock Albania ka disa muaj që është larguar nga zyra sëbashku me stafin, ndërsa ende nuk ka njoftuar klientët që kanë investuar në bursë përmes kësaj platforme.

Kompania ishte e liçensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, por nuk ka njoftuar asnjë institucion për problemet që ka patur në Shqipëri, dhe se cili do të jetë fati i parave të investitorëve. Stock.com ka qenë degë e ACECAP Investment, e regjistruar në Qipro.

Në datën 31 maj, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka mbledhur bordin dhe i ka lënë afat 20 ditë firmës për të dorëzuar bilancin vjetor, situatën financiare dhe zgjidhjen për klientët që kanë futur kursimet aty. Ende nuk ka asnjë përgjigje nga ky autoritet se si do të zgjidhet situata për investitorët, por me anë të këtij vendimi bordi do të gjobitë shoqërinë Stock Albania.

Në inspektimin që ka bërë AMF nuk gjetur askënd në zyrë, ndërsa faqja e internetit e saj është mbyllur. Platformat e investimit online janë në kulmin e lulëzimit të tyre në Shqipëri, për shkak të interesave të mira që ofrojnë për depozituesit, por rreziku për të humbur paratë është i madh.

Tv Klan