Bizneset dhe qytetarët, të cilët kanë detyrime tatimore dhe doganore të papaguara do të kenë mundësi të përfitojnë nga falja e një pjese të tyre deri në fund të këtij viti.

Minsitri i Financave, Arben Ahmetaj u ka kërkuar deputetëve të Komisionit të Ekonomisë që të shtyjnë afatin e kësaj nisme, në mënyrë që të kenë mundësi të gjithë të bëjnë aplikimin. Janë 1.1 miliardë dollarë detyrime që qeveria ka marrë përsipër të falë.

Çdo tatimpagues përfiton fshirje të borxhit që ka në Tatime dhe Dogana, i cili ka si datë të fundit 31 Dhjetorin e 2010-ës, ndërsa që nga ky vit e deri në 2014-ën, atij i fshihet gjoba dhe kamata, nëse paguan principalin.

Lehtësi ofrohen edhe për drejtuesit e mjeteve, të cilët nuk kanë paguar taksat deri në vitin 2010, bizneset që iu gjeneroi sistemi gjoba gjatë Qershorit të shkuar dhe për ata sipërmarrës të cilët u penalizuan gjatë aksionit antiinformalitet.

Tv Klan