Plazhi i Portonovës, ku të shtunën e shkuar u mbytën tre të rinj, është boshatisur.

Përgjatë vijës bregdetare ka vetëm efektivë policie.

Familjarët e dy vajzave, 25 – vjeçares Xhoana Cani dhe 27 – vjeçares Manuela Maraj për

ABC News

u shprehën se tragjedia mund të ishte shmangur, nëse plazhi do të monitorohej nga rojet bregdetare.

Gjyshja e Xhoana Canit, njëkohësisht edhe vjehrra e Manuela Maraj i kërkoi ndjesë familjes së Benjamin Feratit, 24 – vjeçarit nga Tetova, i cili humbi gjithashtu jetën në përpjekje për të shpëtuar vajzat nga mbytja.

“Në qoftë se do të kishte roje bregdetare dhe policë që qarkullojnë, do të kishin shpëtuar të dyja vajzat dhe ai 24 – vjeçar djalë, djalë nëne… Përse? Përse? Të më falë ajo familje që u fut ai djalë për të shpëtuar nusen dhe mbesën time. Të më falë, të më falë, nuk e ndihmoi zoti, që të shpëtonte. Sot kërkoj nga shteti që të verë drejtësi në këtë vend dhe jo të tallet. Të mos tallet! Në 97 – ën më është vrarë një djalë dhe sot e kësaj ditë nuk është gjendur, nuk është kapur autori që ka vrarë djalin tim”, 

tha gruaja.

Manuela Maraj ishte nënë e dy fëmijëve, 9 dhe 4 – vjeç, ndërsa Xhoana Cani kishte një djalë 6 – vjeçar. Ato ndodheshin në plazh sëbashku me fëmijët, të cilët kanë dëshmuar ngjarjen e rëndë./tvklan.al