Ndërtimi i stadiumit të ri në Tiranë ka hapur diskutime për ruajtjen të një pjese të tij, fasada e “Qemal Stafës” e ideuar nga arkitekti italian, Gherardo Bosio në vitet 30’. Kryeministri Edi Rama, në një postim në profilin e tij në Facebook, sqaroi se fasada nuk do të prishet.

Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë: 

“Ja projekt – ideja e integrimit të saj në zemrën e Arenës Kombëtare, ku do të jetë edhe Muzeu i Kuqezinjve”.

Ruajtjen e fasadës e konfirmoi edhe përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Arben Dervishaj – Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF:

“Jemi në diskutime që ose do ta ruajmë aty ose do ta vendosim në një vend tjetër dhe që të jetë pjesë e objektit”.

Ruajtja e fasadës, pjesë e Ansamblit Muzeal të Tiranës, ku përfshihen edhe ndërtesa të tjera në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, hapi debat edhe nga opozita, po ashtu edhe pika të tjera të projektit, si kulla.

Kapaciteti i stadiumit do të jetë 22 mijë vendësh, me synimin për ta kthyer në një pikë referimi për qytetin.

Projekti është i studios italiane “Archea”, që më parë ka ideuar stadiumin e Udinese.

Endrit Sauku/Tv Klan