Fatima, luftëtarja e parë italiane që iu bashkua Shtetit Islamik mund të ketë vdekur. Deklarata vjen nga motra e saj, aktualisht në burg për akuzën e terrorizmit.

Maria Giulia Sergio e njohur me emrin “Fatima” u dënua me 9 vite burg në mungesë nga një gjykatë në Milano, pasi u largua në Shtator të 2014 –ës drejt Sirisë, sëbashku me bashkëshortin e saj, shqiptarin Aldo Kobuzi, për t’iu bashkuar ISIS.

Motra e saj Marianna Sergio, e dënuar me 5 vite e 4 muaj burg gjithashtu për terrorizëm, tha se Fatima ishte e sëmurë dhe nuk besonte se ishte ende gjallë.

Sipas të dhënave, Fatima është stërvitur në Siri për përdorimin e armëve, edhe pse grave të Kalifatit nuk iu lejohet të luftojnë.

E etur për luftë, në përgjimet që kanë kryer autoritetet italiane, ajo mësohet t’i ketë thënë familjes në telefon se shpresonte shumë që një ditë Kalifati t’i lejojë edhe gratë të luftojnë.

Sergio Sergio, babai i italianes, ishte i vetmi që nuk arriti të shkonte në Siri. Gjykata e akuzoi atë si financuesin dhe organizuesin e udhëtimit të familjes së tij drejt Kalifatit./tvklan.al