Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe katër bashkëpunëtorë të tij u shpallën të premten të pafajshëm nga të gjitha akuzat për “korrupsion, krim të organizuar e keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Një trup gjykues i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë dhe një vendas, tha se nuk ka asnjë provë që zoti Limaj dhe të tjerët ishin përfshirë në veprat e përfshira në akuzat kundër tyre.

Procesi që u përmbyll sot, pasoi hetimet që filluan në prill të vitit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministër i së cilës atëbotë ishte zoti Limaj.

Një nga ish komandantët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zoti Limaj në shtator të vitit 2013, qe shpallur i pafajshëm për të dytën herë ndërkaq nga akuzat për krime lufte. Ndërsa në vitin 2005, zoti Limaj qw njihej me emrin e luftës si komandant Çeliku, qe shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Në tetor të vitit 2016, prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti një tjetër aktakuzë kundër zotit Limaj, për veprën penale: krime lufte kundër popullatës civile, meqë siç thuhet në akuzë si komandant gjatë luftës nuk kishte ndërmarrë masa për të parandaluar vrasjen e dy civilëve shqiptarë.

Ish nënkryetar i Partisë Demokratike të Hashim Thaçit, zoti Limaj në fillim të vitit 2014 shpalli ndarjen nga kjo parti dhe themelimin e subjektit të ri politik me emrin “Nisma për Kosovën”. Pas zgjedhjeve të qershorit të këtij viti, ai mori postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

/VOA