Hetimet për vdekjen e gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, po zhvillohen me ndihmën e FBI-së. Uashingtoni pranoi ftesën e autoriteteve në Maltë për të asistuar hetimet. DASH e cilësoi atentatin ndaj gazetares një akt frikacak, ndaj dikujt që po luftonte korrupsionin.

Djali i Daphne Caruana Galizia tha të martën se mamaja e tij u vra nga politika dhe se Malta është një shtet mafioz.

Edhe kryeministri maltez Zhozef Muscat, reagoi pas ngjarjes duke thënë se nuk do të ketë asnjë moment pushimi derisa porositësit e vrasjes ekzekutorët të shkojnë para drejtësisë.

Për Komisionin Europian vrasja e gazetares malteze ishte një ngjarje e tmerrshme. Zëdhënësja e presidentit Zhan Klod Junker u shpreh se Brukseli pret që autorët të kapen sa më parë.

Dëshmitarët thanë për hetuesit se shpërthimet kanë qenë dy, një më i vogël dhe një tjetër më i madh, para se automjeti i gazetares të shkrumbohej.

Daphne Caruana Galizia u vra të hënën në një atentat me bombë sapo kishte lënë banesën e saj. Ajo shkaktoi një tërmet mediatik në Maltë kur publikoi të dhëna për përfshirjen e qeverise malteze në skandalin “Panama Papers”. Galizia akuzoi kryeminitrin Muscat dhe familjarë të tij për skema mashtruese financimesh.

Tv Klan