Një ditë më parë, e gjithë administrata shtetërore e bëri pushim. Kjo sepse 19 Tetori, dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me një vendim të qeverisë Nano të vitit 2003 e përcaktoi atë si Festë Kombëtare dhe për rrjedhojë, gjithë nënpunësit e shtetit pushojnë dhe si në çdo festë tjetër zyrtare, ata paguhen edhe pse atë ditë nuk shkojnë në punë.

Por kur Nënë Tereza është shpallur shenjtore dhe 5 Shtatori njihet si dita e Shën Terezës dhe që logjikisht duhet të jetë edhe kjo një Festë Kombëtare, a ka kuptim që të pushohet dy herë, edhe në 5 Shtator edhe në 19 Tetor.

I pyetur nga Televizioni Klan, Dom Gjergj Meta, famullitar i kishës së Shën Luçisë në Durrës thotë se kjo datë duhet të ndryshohet, pra Festë Kombëtare duhet të jetë 5 Shtatori, dita e Shën Terezës së Kalkutës dhe jo 19 Tetori.

dom

Dom Gjergj Meta thotë më tej se qeveria duhet ta rishikojë këtë ndryshim, që është bërë në ligjin për Festat Kombëtare dhe sipas tij nuk do të kemi një skizofreni festimesh, edhe për lumturimin edhe për shenjtërimin.

Burime pranë Kryeministrisë i thanë Televizionit Klan se ndryshimi në ligj do të bëhet në një nga mbledhjet e afërta të qeverisë. Sipas të njëjtave burime, ky 19 Tetor ishte i fundit që u festua si Festë Kombëtare, pasi si e tillë do të shpallet dita e shenjterimit të Nënë Terezës, më 5 Shtator.

Tv Klan