1

Java e parë e korrikut rikthen në Sarandën e plazhit dhe Gjirokastrën e gurtë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Dea”. Edicioni i dytë do të zhvillohet në dy qytetet e jugut që prej 25 vitesh u mungon kinemaja. Për pesë ditë duke nisur nga e shtuna e 4 korrikut, Limani i Sarandës do të shndërrohet në një kinema në qiell të hapur.

Filma të metrazhit të shkurtër e të gjatë, krijime të fundit të kinemasë gjermane, italiane, izraelite, franceze dhe nga vende të tjera do të projektohen me rënien e muzgut. Siparin do ta ngrejë “Tri Dritare dhe një varje” e Isa Qosjes, film i zhanrit dramë i vlerësuar me disa çmime.

Në kinemanë e improvizuar në Kalanë e Gjirokastrës, do të evokohet e kaluara e kinemasë shqip, me prodhimin e restauruar të Dhimitër Anagnostit, “Përrallë nga e kaluara”. Një projektim i veçantë do të jetë ai i komedisë së suksesshme në Amerikë dhe Evropë, “Në djall Gete”.

Festivali i Filmit “Dea” në stacionin e tij të dytë do të shërbejë edhe si një vendbisedeash me regjisorë të suksesshëm, si Dhimitër Anagnosti e Isa Qosja.

E vaçanta e këtij edicioni është krijimi i Akademisë Verore të Filmit. Për kineastët e rinj dhe studentët e arteve, dy pedogogë gjermanë të shkrimit të skenarit do të sjellin eksperiencën e tyre në realizimin dhe reklamimin e një filmi të mirë.

Përgatitjet për festivalin i Filmit “Dea” janë bërë pjesë e një reportazhi të grupit të xhirimit të kanalit publik gjerman ZDF, një dëshmi që rrëfen se kinemeja shqiptare po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për evropianët.

Tv Klan