25-vjeçari Aldo Ymeraj i cili u arrestua nga policia shqiptare, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SHBA, në fushën e krimeve kibernetike, jetonte me nënën e tij në Fier. Ai kishte studiuar për pikturë dhe nuk njihej shumë në qytet.

Këto shkalle i ka përshkuar që nga fëmijëria. Por banorët e lagjes “Konferenca e Pezës” në Fier, Aldo Ymerajn thuajse nuk e njohin.

Përkundër kësaj, emri i 25-vjeçarit fierak ndodhet në mes 36 personave nga vende të ndryshme të botës të kërkuar nga SHBA për krime kibernetike. Ndaj ata pak fqinj, jashtë kamerave thonë ishte djalë i urtë.

Nga policia e Fierit tregojnë se 25-vjeçari u arrestua në kryeqytet. Ai jetonte kohët e fundit mes Fierit, Tiranës dhe Vlorës.

Bazën e kishte në vendlindje, aty ku policia pas arrestimit po ushtron kontroll.

Nuk dihet nëse do të bëhej piktor i mirë përderisa studjoi pikturë për 4 vjet në shkollën artistike “Jakov Xoxa”, por Aldo Ymeraj rezulton një gjeni në fushën e kibernetikës.

Me prindër të divorcuar, djali i pronarit të një shtypshkronje në Fier, Ymeraj punonte herë pas herë në biznesin e të atit.

Nuk është e qartë se si përfundoi mes grupit të shumëkërkuar nga FBI që akuzohen se kanë përvetësuar nëpërmjet marifeteve të internetit 530 milionë dollarë.  I riu  nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit.

Hetimi për 36 persona të organizuar nën moton “In fraud We trust në mashtrim ne besojmë”, ka nisur nga SHBA .

Grupi i hakerave akuzohet se merrnin pjesë në një rrjet të krimit kibernetik qe drejtonte një skemë të sofistikuar duke blerë dhe shitur numrat e sigurimeve shoqërore dhe vjedhur të dhënat personale.

Nga ky aktivitet i themeluar në vitin 2010 prej një shtetasi ukrainas janë shkaktuar 530 milionë dollarë humbje për konsumatorë biznese dhe banka.

Anëtarët e rrjetit nuk ishin takuar me njëri-tjetrin. Ata identifikonin njëri-tjetrin me nofka ne internet./abcnews.al