Dy nga 3 katet e kësaj vile të marrë me qira në lagjen “Kastriot” të Fierit ishin kthyer në një laborator modern të kultivimit të kanabisit. Agjentë të policisë lokale kishin marrë informacion për aktivitetin e paligjshëm që zhvillohej në banesën e Piro Bares për shkak të faturës së lartë mujore të energjisë elektrike. Nisi menjëherë mbajtja nën vëzhgim vilës dhe rreth orës 17 të së premtes policia vendosi të ndërhyjë. Në 6 dhoma u gjetën të kultivuara 2784 bimë cannabiss sativa me lartësi nga 30 deri në 80 cm. U gjetën 2820 kubikë, në shumicën e të cilëve kishin mbirë fidanë kanabisi si dhe 167 bimë të tjera në proces tharjeje.

Në funksion të kultivimit të kanabisit u sekuestruan bidona plastikë, tuba uji të përdorur për vaditje, llampa të posatshme për rritjen e bimës, gërshërë dhe të tjera mjete. 8 persona u vunë në pranga mes të cilëve 2 gra që gjendeshin në ambientet e banesës në momentin e ndërhyrjes së policisë. Janë ndaluar edhe 2 punonjës të OSHEE.

Njëri është lexues i matësit të energjisë elektrike për këtë lagje dhe tjetri përgjegjës i grupit të elektriçistëve në OSHEE-në e Fierit. Ata akuzohen për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre. Një person me iniciale E.F është shpallur në kërkim. Ai kishte marrë me qira banesën të cilën e kishte kthyer në një laborator të kultivimit të drogës.

 

Të arrestuarit:

1.Hiqmet Borova, 50 vjeç, banues në lagjen Liri Fier.

2.Fisnik Gorani, 27 vjeç, banues në fshatin Hoxharë, Fier.

3.Pajtim Muka, 53 vjeç, banues në lagjen Mbrostar Ferko Fier.

4.Florenco Cera, 24 vjeç, banues në lagjen Çelepias Berat.

5.Erald Buzi, 27 vjeç, banues në lagjen 15 Tetori Fier.

6.Klaudjo Borova, 27 vjeç, banues ne lagjen Liri Gero Fier.

7.Rozana Borova, 37 vjeçe, banuese në lagjen Liri Gero Fier.

8.Selvie Muka, 52 vjeçe, banuese në lagjen Mbrostar Ferko Fier.

 

 

Tv Klan