fSeparatistët filorusë në një pritë kanë vrarë 10 ushtarë të forcave qeveritare ukrainase në lindje të vendit.

Konfirmimi erdhi edhe nga zyrtarët e operacionit anti-terrorist në Kiev, sipas të cilëve 13 të tjerë mbetën të plagosur dhe 11 janë shpallur të zhdukur.

Ndërsa mediat në kryeqytetin ukrainas thanë se humbjet në këtë sulm janë të paktën 20 të vrarë në këtë sulm.

Ngjarja ka ndodhur në mesnatë, në Shahtjors, pak kilometra në jug-perëndim të vendit ku ndodhen mbetjet e avionit të Malaysia Airlines. Filorusët thanë se kanë shkatërruar edhe 30 mjete të forcave qeveritare, mes të cilave edhe disa të blinduara.

Të dyja palët konfirmuan se viktimat i përkasin një njësie të brigadës së 25-të të parashutistëve të ushtrisë ukrainase.

Por pavarësisht luftimeve në këtë zonë, nën shoqërimin e vëzhguesve të OSBE, një grup prej 70 ekspertësh holandezo-australianë, kanë vijuar të premten kërkimet në zonën ku gjenden mbetjet e Boeingut të fluturimit MH17.

Sipas vlerësimeve të tyre, nga 298 viktimat e tragjedisë ajrore, rreth 80 trupa ende nuk janë gjetur në kërkimet e kryera më herët.

Luftimet mes palëve ndërkaq kanë vijuar të ashpra edhe në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, ku në këtë të fundit kanë humbur jetën 5 civilë.

Që prej 17 korrikut, ofensiva e forcave qeveritare është intensifikuar në lindje të vendit.

Aktualisht, Luhansku është tërësisht i rrethuar dhe ka mungesa të theksuar në ushqime, përveçse i është ndërprerë furnizimi me energji.

Në total më shumë se 1100 persona kanë humbur jetën që nga nisja e ofensivës në lindje në mesin e muajit prill dhe mbi 3600 të tjerë kanë mbetur të plagosur, nga të dyja palët.

Tv Klan