Finalja e “Luftës së Nuseve”, dhëndri bën 2800 km për të marrë në dasëm qenin e vjehrrës

Kur dhëndri bën 2800 km për të marrë qenin e vjehrrës. Nga Saranda në Budapest, tri netë udhëtimi vetëm një javë para dasme!

Sonte në Tv Klan në orën 20.00 do të transmetohet episodi i fundit për këtë vit i programit argëtues “Lufta e Nuseve”, një format  për të zgjedhur dasmën më të bukur ndër tri konkurrentë. Programi ka pasur një interes të madh nga publiku pasi  janë vetë nuset ato që përcaktojnë fituesen përmes  vlerësimit me pikë të dasmave të konkurrentëve, por, sidomos për komentet nëpër këto dasma.

Sonte,  do të jenë në konkurrim tri dasma mjaft interesante. E para është një dasmë madhështore shkodrane.  Aty gërshetohen  të gjithë vlerat  e dasmës tradicionale shqiptare me elementët modern të dekorimit dhe muzikës.  Është dasma e Rudinës nga Lezha me Altinin nga Shkodra. Kurorëzimi  i  historisë  së tyre të dashurisë u dha fund ecejakeve Shkodër-Lezhë. Altini është djali tipik shkodran, plot humor, batuta e alegri ndërsa Rudina ndihet e përkëdhelura e fatit nga njohja dhe martesa me të.

Historia e dyte e dashurisë vjen nga Kryeqyteti evropian i politikës, Brukseli. Atje, Genti  nga Saranda që studionte ekonomi sapo kishte dalë nga një lidhje e gjatë dashurie dhe po rifillonte edhe një herë jetën e beqarit.  Me një çantë plot me rroba të palara ia behu në një nga lavanteritë e Brukselit. Nuk është aq keq kur nuk di të bësh diçka. Të duhet të pyesësh. Dhe nuk i dihet, mund të ndodhë që, personi që të ndihmon mund të bëhet njeriu më i shtrenjtë në jetë! Të paktën këtë tregon Genti. Atje, në atë lavanteri të Brukselit ai takoi Renatën, vajzën hungareze. Sot ata janë prindër të një vogëlusheje 8 – muajshe dhe kanë filluar jetën në Tiranë.

Por, një detaj mjaft interesant nga martesa e tyre në Sarandë ka të bëjë me vjehrrën e Gentit. Ajo jeton e vetme në Hungari, por ka një rregull të pakompromis: Nuk lëviz nga shtëpia e saj në Budapest pa qenin e saj!  Një javë përpara se të bëhej dasma, ajo shkon për të marrë biletën për në Korfuz (dasma bëhej në Sarandë) por, atje i thonë që është e pamundur të udhëtojë bashkë me qenin! Ajo merr në telefon të bijën dhe I thotë: “ Unë nuk vij në dasmë nëse nuk vjen Genti të më marrë me makinë, bashkë me qenin”…

Kishte vetëm një javë kohë dhe përgatitjet për dasmën  ishin larg. Por, Genti e vendosi. I hipi makinës në Sarandë dhe pas 2800 km (Sarandë –Budapest-Sarandë) dhe tre netëve mbërriti në shtëpinë e tij. Kishin mbetur edhe tre ditë nga dasma ….

Dasma e fundit është një kurorëzimi i një historie dashurie mes një bukurosheje nga Vlora me një djalë nga Skrapari. Tashmë të dy prej vitesh jetojnë në kryeqytet. Dasma ishte në Tiranë ndërsa historia e dashurisë fillon 5-6 vite të shkuara. Eriselda studioi për inxhinieri telekomunikacioni dhe në sajë të aftësive dhe ambicies  profesionale, sot, ajo është Drejtore e Departamentit të teknologjisë së Informacionit në një ndër institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, korporatën OSHE. Njëkohësisht është edhe pedagoge e jashtme e Informatikës në Universitet.  Ndërkohë,  Behari, i dashuri i saj nga Skrapari  ka studiuar gjithashtu për informatikë dhe është pjesa rozë në jetën e Eriseldës. Ai është e kundërta e saj, por dy të kundërta plotësojnë njera tjetrën. Atij i pëlqen të dalë nëpër lokale nate, të shpenzojë, të udhëtojë,  të eksplorojë botën. Ai e tërheq atë në botën e tij ajo e kontrollon atë në ekzagjerimet.

Dasma e tyre ishte një atmosferë shpërthyese ku  pista e kërcimit nuk pushoi  për asnjë moment.

Këto tri histori dashurie dhe tri dasma mund t’i ndiqni sonte në Lufta e Nuseve. Mos e humbni, do të argëtoheni pa masë!/tvklan.al

 

 

 

Kategori
LifestyleTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*