Një propozim i dalë nga lideri i VMRO DPMNE-së, ish kryeministri Nikolla Gruevski për financimin nga ana e shtetit të organizatave joqeveritare ka nxitur reagime të shumta, deri në vlerësimin se menjë ide e tillë synohet heshtja e sektorit civil.

Deklarata e Gruevskit për një media maqedonase vjen në kohën e rritjes së përplasjeve mes partisë së tij dhe organizatave joqeveritare, të cilat sipas kreut të VMRO-së po punojnë kundër partisë së tij.

Propozimi i tillë i VMRO-së, sipas komunikologut Sefer Tahiri është shprehje e nervozizmit të kësaj partie pas dështimit për formimin e qeverisë dhe në këtë rast ajo tani është në kërkim të atyre që mendon se kanë faj për dështimin e VMRO-së.

Propozimi, sipas Tahirit, nuk është gjë tjetër përveç se vazhdimësi e luftës së partisë së Gruevskit kundër organizatave joqeveritare që financohen nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

“Vlerësoj se kjo situatë dhe kjo ide paradoksale që i shfaq VMRO DPMNE-ja janë sinjale se kjo parti ndodhet në një situatë paniku dhe gjithashtu vlerësoj se kjo nuk ka asnjë lloj logjike, asnjë lloj sensi demokratik sepse sektori joqeveritar është për të korrigjuar gabimet dhe padrejtësitë që i bën shteti”.

“Pra, nuk shoh asnjë logjik në kuptimin që qeveria të financojë me mjete sektorin joqeveritar pasi çfarë kuptimi do të kishte ky sektor nëse financohet nga shteti pasi detyrimisht ky sektor do të ishte qeveritare”, thotë Tahiri sipas të cilit, një propozim i tillë është goditje e fuqishme ndaj demokracisë dhe sinjal për vendosjen e diktaturës në vend.

“Kjo nuk do të kishte aspak sens për zhvillimin e demokracisë dhe më tepër do të ishte një lloj imitimi i sistemeve hibride politike apo më tepër do të ishte shfaqje e tendencave diktatoriale në shoqërinë tonë”, thekson Tahiri.

“Qeveria ka raste kur ka financuar sektorin civil, por për projekte të saj në sferën e ambientit, dhe tani të dilet me propozim për financimin e tërë sektorit civil, vlerësoj se është e palogjikshme pasi ky sektor do të bëhej pjesë e ekzekutivit”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

“Organizatat qytetare duhet të jenë korrigjues të punës së çdo pushteti dhe nëse do bien në duart e këtij apo ndonjë pushteti tjetër pavarësisht se për cilën parti politike bëhet fjalë, atëherë konsideroj se ne nuk mund të flasim për shoqëri qytetare, por për shoqëri qeveritare”.

“Pra, një propozim i tillë është sa komik aq edhe dhimbshëm pasi tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë partitë politike për të mos pasur zë kritik për punën e tyre. Ka raste kur qeveria ka financuar projekte të caktuara të shoqërisë civile, por në këtu kemi të bëjnë me projekte që kanë lidhshmëri me aktivitetet qeveritare, siç janë ato në sferën e ekologjisë, ambientit jetësor e kështu me radhë, por të kërkohet që OJQ-të të financohen nga shteti, kjo vlerësoj se është absurde”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnik.

Në intervistën për Nova Tv, lideri i VMRO DPMNE-së, tha se pas sektorit civil qëndron filantropisti miliarder, George Soros, i cili financon OJQ-të, të cilat gjithë veprimtarinë e tyre e kanë të programuar kundër siç tha, pushtetit që drejtohet nga partia e tij.

Por, pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga këto organizata duke rikujtuar Gruevskit se veprimtaria e tyre nuk është e para një apo dy viteve, por që nga pavarësia e Maqedonisë dhe se kontributi i tyre është i orientuar në avancimin e proceseve të shoqërisë dhe të demokracisë në përgjithësi. (REL)