Askush nuk e kishte menduar që Shkëndija e Tetovës do të shkonte kaq larg në Europë dhe do të ishte kaq pranë fazës së grupeve. Gjithsesi, seria e fitoreve vijoi.

Viktima e radhës ishte Mlada e Boleslavit, që u mund 2-0 në stadiumin kryesor të Shkupit, në ndeshjen e parë të turit të tretë të Ligës së Europës.

Ky sukses i pastër bën që ekipi i shqiptarëve të Maqedonisë të jetë favorit për të kaluar në fazën e play off dhe për të pretenduar më pas të shkojë në fazën e grupeve.

Të besuarit e trajnerit Bruno Akrapoviç patën epërsi dhe fitorja e tyre ishte krejtësisht logjike. Krijuan dhe humbën disa raste, ndërsa në pjesën e dytë u ndihmuan nga dalja me të kuqe e Hulkës për ekipin çek. Pasi pati epërsi numerike, Shkëndija shënoi edhe golat.

Fillimisht, realizoi braziliani Zhunior, ndërsa gjashtë minuta më pas, rezultatin e vulosi Ferhat Hasani. Me avantazhin 2-0, skuadra nga Tetova ka shanse të mëdha të dalë në play off, ndonëse gjithçka do të vendoset të enjten e ardhshme, kur të luhet ndeshja e kthimit në Republikën Çeke.

Më herët, Shkëndija eleminoi Krakovin e Polonisë në turin e parë dhe Nefçin e Azerbajxhanit në turin e dytë. Kurrë më parë, ky ekip nuk kishte mundur të kalonte asnjë tur në Europë.

Tv Klan