Në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri foli për eksperiencën e tij si Ministër i Brendshëm, duke lënë të kuptohet se është i gatshëm të marrë sërish përgjegjësi të tilla në të ardhmen. Në një takim me strukurat e Partisë së Tiranës, Tahiri komentoi ndjesitë pas largimit nga kjo detyrë.

Teksa uroi Fatmir Xhafën për detyrën e re, Tahiri tha se projekti me Edi Ramën do të marrë besimin e shqiptarëve edhe për një mandat të dytë.

Tahiri tha se ata që janë mbledhur në një çadër mbrojnë jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe gjyqtarët e prokurorët e korruptuar.

Fjala e plotë:

Këto të fundit kanë qenë ditët kur më shumë se kurrë, kam mësuar sa vlen të bëhesh më parë njeri i mirë, e pastaj zyrtar e politikan i mirë.

Sa shumë vlerë ka puna, me përkushtimin dhe pasionin e atij që ka gjithçka për herë të parë, por asgjë për herë të fundit.

Se sa shumë vlerë ka të hapësh telefonin, të gjindesh, të ndihmosh edhe atëherë kur mundësitë janë pak. 

Sa vlerë ka besimi, respekti, mirënjohja e përulja para gjithkujt që të ka besuar shumë apo fare pak. 

Dhe sado të mundohem, nuk do arrij dot kurrë të gjej aq fjalë sa duhet për të falënderuar me përuljen dhe respektin tim më të madh, secilin prej jush, e këdo që nuk është në këtë sallë.

Të rinj e të reja, burra e gra, socialistë të rinj ose jo, të majtë, të djathë e pa parti fare.

Që më treguan mua e vazhdojnë na tregojnë ne se të punosh ia vlen më shumë sesa të flasësh gjithë ditën. 

Të respektosh njerëzit e thjeshtë vlen më shumë sesa të respektosh ekuilibrat e politikës së madhe, që në ekuilibër mbajnë vetëm veten në pushtet duke ç’ekuilibruar Shqipërinë.

Që më treguan se sado e madhe gënjeshtra, sado i madh llumi dhe akuzat, sado i madh sulmi i frontit të së keqes, sy, mendje e zemër ka gjithmonë për të vërtetën, 

Që më treguan se sa më e madhe pengesa, aq më e madhe fuqia për të besuar e forca për të punuar.

Tani më shumë se kurrë, me një shprese të re, për një Shqipëri të re. 

Sot jam krenar për gjithçka kemi arritur bashkë, e që deri dje as mendohej, ashtu siç ju detyrohem sinqerisht ndjesë për gjithçka nuk kam bërë dot, sepse nuk kam pasur dot mundësi aq sa kam pasur dwshirë e vullnet, por sot përulem me respekt e mirënjohje para jush e gjithë qytetarëve në të gjithë Shqipërinë, për besimin dhe forcën që më dhatë:

Ndaj, nga zemra e me gjithë fuqinë time, FALEMINDERIT, FALEMINDERIT, FALEMINDERIT.

Dua t’i uroj suksese Fatmir Xhafës, kolegut tim për një kohë të gjatë nw Komisionin e Ligjeve. Jam i sigurt Fatmiri do bëjë më të mirën në Ministrinë e Brendshme për të vazhduar gjithçka kemi nisur bashkë që ditën e parë të detyrës sonë.

Ka shumë nga ata që sot shqetësohen për çfarë ka ndodhur, apo për çfarë nuk ka ndodhur, më shumë sesa shqetësohen për çfarë është bërë e çfarë do të ndodhë në një të ardhme që nuk ka ardhur ende. 

Ka shumë nga ata që janë më të zotë dhe e kanë më kollaj të zhyten në labirintet e politikës së madhe, aty ku errësira e nëntokës është aq e pasur me kulisa e thashetheme, se të zhytesh në problemet e vërteta të shqiptarëve duket mundim i tepërt që duhet ta bëjnë gjithmonë të tjerë, por kurrë vetë. 

Ka shumë që janë më të lumtur t’i bëjnë fresk oligarkut të radhës, sesa të zgjidhin varfërinë e atyre shumë që jetojnë për racionin e bukës nesër.

Ka shumë që dëgjojnë zërin e atij që për arsye ka forcën, herë forcën e politikës, herë forcën e muskujve dhe xhepit, por nuk dëgjojnë arsyet e thjeshta të rrënimit e varfërisë deri dje dhe punës që bëjmë sot për të fituar kohën e humbur. 

Ka shumë që dëgjojnë më shumë jehonën e medias sa më shumë rritet gënjeshtra, sesa të vërtetën e thjeshtë të njerëzve, që ua lexon në sy pa i pyetur. 

Ka plot nga ata që kanë harruar Shqipërinë dje, shkërmoqur në themele nga papërgjegjshmëria e atyre që qeverisnin, e sot bërtasin para fytyrës sonë për Shqipërinë që po ndërtojmë. 

Ka shumë që inati nuk i lë të shohin të vërtetën, e shumë të tjerë që urrejtja nuk i lë as të besojnë të ardhmen. 

Ka shumë që nuk kujtohen më sa e varfër ishte Shqipëria, sa e pabarabartë. Sa pa shpresë ishin shqiptarët e sa shumë po kërcënohej çdo ditë e nesërmja. 

Por ne jemi më shumë. Ju jeni më shumë. Të gjithë ne bashkë jemi më shumë. 

Ne që besojmë se të punosh e të përballësh me problemet, është më mirë sesa të fshihesh pas tyre e të mbijetosh ne llumin dhe rrëmujën e trashëguar, jemi më shumë. 

Ne që besojmë se varfëria luftohet me punë, jemi më shumë sesa ata që varfërinë e përdorin për pushtetin e tyre.

Ne që besojmë se punësimi nuk është skllavëri e votave dhe as burgu për të mbajtur frymën gjallë, por mundësi për të jetuar me dinjitet e me një pagë që të lejon të ngresh kokën lart, të jesh krenar e të ndërtosh një të ardhme më të mirë për familjen dhe fëmijët, jemi më shumë.

Ne që besojmë se krenarë nuk na bënë sa bukur vishemi e lyhemi, sa shpejtë blihemi e shitemi, sa shumë flasim e bërtasim, por sa shumë punojmë, sa shpejt ndërtojmë shtetin që duam, për Shqipërinë që duam, ne jemi më shumë e do jemi më shumë. 

Ne që besojmë se të kesh meritë është më e vyer se të kesh një sekser, miku në pushtet apo leku nën dorë, jemi më shumë e do jemi më shumë. 

Ne që besojmë se Shqiptarët janë krenarë kur janë të drejtë, e se drejtësinë e meritojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, jemi më shumë sesa ata që drejtësinë e duan për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre.

Ne që jemi rritur me prindër që na kanë kërkuar gjithmonë të jemi të drejtë, e që i kemi borxh drejtësinë të gjithë atyre që janë rropatur dyerve të gjykatave e sot e kësaj dite nuk kanë drejtësi, jemi më shumë sesa ata që gjyqtarin e përdornin për ti mbrojtur dhe pse kanë vjedhur dhe vrarë. 

Sepse ne në këtë shtëpinë tonë të madhe, Partinë Socialistë të Shqipërisë, jemi më shumë, besojmë më shumë e kemi fuqi më shumë, 

Që me të njëjtën forcë që bëmë Policinë që duam, shtetin që duam, po bëjmë ekonomi më të fortë, punë për ata që nuk kanë, dinjitet për ata që janë përdhosur, drejtësi për ata që padrejtësia i ka rrëmbyer të djeshmen, të sotmen e që nuk mund t’i rrwmbejë edhe të ardhmen. 

Sepse në këtë shtëpinë tonë të madhe, mund të vihemi përballë, mund të kundërshtojmë e zihemi, por jemi bashkë e do jemi bashkë, më të fortë se kurrë, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, të dalë nga rrënojat e shkatërrimit që lanë ata dje. 

Se jemi një ekip i shkëlqyer, me Vasilikën, Besnikun, Fatmirin, Blerinën, Xhemalin, Ervinin, Rakipin, Tanin, Milenën, Sadriun, Erjonin që po bën një punë të shkëlqyer në Tiranë, e me të gjithë kolegët në të gjithë Shqipërinë. 

Se forca jonë është Freshi, të rinjtë e të rejat e Forumit Rinor në Tiranë. Vajza dhe djem të shkëlqyer.

Se fuqia e grave dhe vajzave në Forumin e Gruas është e pashtershme për sot e Shqipërinë nesër.

Me çdo kryetar njësie, me çdo administrator, me çdo organizatë, me çdo anëtar, me çdo socialist, me çdo njeri që beson te ne pikërisht pse vetëm ne mund ta nxjerrim Shqipërinë nga balta e llumi, ne jemi familja më e madhe dhe ekipi fitues në Tiranë.

Skuadra më e madhe, skuadra fituese. Partia Socialiste e Tiranës e në gjithë Shqipërinë. 

Se mbi të gjitha kemi një lider, Edi Rama, Kryeministri sot dhe për kë nuk e ka kuptuar ende, Kryeministër edhe pas 18 Qershorit, sepse Partia Socialiste jo vetëm do fitojë por do fitojë në mënyrë spektakolare.

Sepse kemi fuqinë për tu përballur me problemet që na lanë te dera ata që ikën, kemi vetëdijen për të parë të vërtetën në sy, kemi kurajo për të pranuar çfarë nuk kemi bërë ende, por mbi të gjitha kemi forcën për tu ngritur bashkë. 

Forcën për tu bërë me njëri tjetrin, se dhe atëherë kur dukemi më të dobët, jemi më të fortë. 

Kur duket se vështirësitë janë më të mëdha se mundësitë për ti zgjidhur, jemi më të shumtë. 

Kur duket se një ditë e vështirë nuk po mbyllet ende, një fillim i ri do vij për ta bërë natën ditë, e për të na dhënë forcën të ecim para.  

Dhe një fillim i ri ka nisur, bashkë me ju.

Miqtë e mi,

Që nga klasa e parë e shkollës deri kur shumë prej nesh kanë dal në jetë, na kanë mësuar të jemi të lirë, të pavarur. 

Të mos i nënshtrohemi frikës, përtacisë, arrogancës, fodullëkut, neglizhencës. 

Këto janë mësime që vlejnë sot më shumë se kurrë. Vlejnë për ne, për kë shohim në sy përballë njëri tjetrit. 

Por vlejnë më shumë për çfarë do bëjmë për shqiptarët nesër. 

Shihni, dëgjoni, shihni e dëgjoni kë kemi përballë. Herë në shqip e herë në çadër. 

E shkuara është futur në çadër e po thërret shqiptarët. Ata që duhet të ishin para drejtësisë, sot nuk janë. 

Sepse mbrohen nga drejtësia e korruptuar. 

Dje u mbushën 9 vjet nga përvjetori i Gërdecit, e ata që lanë 26 të vrarë, nuk kanë dhënë ende llogari, por janë mbledhur në çadër për të mbrojtur njëri tjetrin, e të gjithë bashkë për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Historia i përbuzi, shqiptarët i injoruan, drejtësia i fali, por 18 qershori nuk do i fali. 

Ata që vranë e nuk u dënuan, ata që vodhën e shpëtuan, ata që sot rrinë në çadër e kujtuan se gjithë Shqipërinë do e fusin në çadër, do marrin faturën më shembullore, bashkë me drejtësinë e korruptuar që po mbajnë peng.

Shqipëria nuk do kthehet pas. E shkuara nuk do mbaj peng të ardhmen. 

Fëmijët e disave nuk mund të pengojnë fëmijët e shqiptarëve të kenë një jetë më të mirë. 

 Krimet, vrasjet, vjedhjet e disave, nuk do pengojnë dot paqen mes nesh. 

Kjo nuk do të ndodhë, as sot e aq më pak në 18 qershor. 

 Miqtë e mi,

Secili prej nesh ka një histori për të thënë. 

Histori dështimesh e suksesesh. Vuajtje e triumfi. Nënshtrimi a lirie. 

Unë jam i fundit për të thënë timen, por do jem i pari, ne do jemi të parët për te dëgjuar tuajën, e te gjithë bashke për te dëgjuar historinë e njerëzve në çdo cep të Tiranës e Shqipërisë.

Ndaj lërini njerëzit të flasin, lërini të tregojnë historinë e tyre. Dëgjojini e jepini besim se Shqipëria nuk mund e nuk të kthehet mbrapa. 

E unë vetë, me detyrën për të drejtuar Partinë Socialiste në Tiranë por si më i thjeshti ndër socialistët këtu e në gjithë Shqipërinë, do dal me ju derë më derë, do flas më këdo që mundem, do dëgjoj këdo të mundem, e do luftoj me këdo që mundet, për të bërë Shqipërinë më të fortë. 

Sot jemi bashkë më të fortë. Sot socialistët janë më të fortë. 

E siç bëmë policinë më të fortë, do bëjmë drejtësinë më të fortë. Ekonominë e punësimin me të njëjtin pasion e përkushtim. 

Kemi skuadrën që do fitojë. Kemi kapitenin e skuadrës që sot është kryeministër e bashkë me ne do qeverisë Shqipërinë përsëri pas 18 qershorit. 

Ndaj jepini dorën njëri tjetrit, e të gjithë bashkë të ngremë Tiranën në këmbë, ti japim dorën çdo shqiptari, e të gjejmë bashkë fuqinë për të ndërtuar Shqipërinë që duam. 

Në 18 qershor, ndahet e djeshmja nga e ardhmja. Rrënimi nga progresi. Varfëria nga mirëqenia. 

Në 18 qershor, ndahen ata që duhet të japin llogari para ligjit me ata që duan drejtësi për të gjithë. 

Ata që duan gjyqtarin e korruptuar me ata që duan popullin. 

Ata që shkatërruan shtetin me ata që do bëjnë shtet. 

Në 18 qershor ndahen ata që duan punën për njerëzit me ata që duan punën për vete. 

Ndaj hajde trokasim të gjithë bashkë, derë më derë, hajde bëhemi bashkë e çdo dite nga sot e 18 qershor, bëjmë atë që nuk kemi bërë kurrë. 

Për Shqipërinë që duam, për drejtësinë që duam.

Me Partinë Socialiste, me çdo socialist, me ekipin tonë dhe me Edi Ramën, kryeministër sot e kryeministër pas 18 qershorit.  

Fitore, fitore, fitore

“./tvklan.al