Fjalor më i ashpër politik në garën për balotazh



Në Kosovë, të hënën nis zyrtarisht fushata parazgjedhore, për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen më 19 nëntor.

Gjatë pesë ditëve të ardhshme, kandidatët për kryetarë komunash, do të kenë mundësinë që edhe një herë t’i shpalosin programet e tyre.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkaq, thonë se janë përgatitur për balotazhin që do të mbahet në 19 komuna të Kosova nga 38 sa janë gjithsej.

Valmir Elezi, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë, se të drejtë vote kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues.

Në ditën e zgjedhjeve, bën të ditur Elezi, do të jenë të hapura 614 qendra të votimit nga 899 sa kanë qenë në raundin e parë më 22 tetor.

“Të dielën e ardhshme raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në 19 komuna për kryetarë të komunave, ndërkaq në komunën e Parteshit do të rivotohet vetëm për kryetar të komunës”.

“Në 19 komunat e Kosovës, ku do të mbahet raundi i dytë, janë 614 qendra të votimit, me gjithsej 1,777 vendvotime, të cilat do të hapen për këtë raund”, thotë Elezi.

Ndryshe, partitë politike dhe kandidatët e tyre që garojnë në balotazh, kanë vazhduar fushatën jozyrtare që nga koha e shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale.

Madje, gjatë kësaj periudhe disa nga partitë politike që pritet të garojnë në balotazh për zgjedhjet lokale, në komuna të caktuara kanë lidhur edhe koalicione me subjektet tjera politike.

Sipas analistëve politikë, gara më interesante pritet të zhvillohet në komunat më të mëdha, si Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj e Prizreni, por që dominion Prishtina.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se para fillimit të fushatës zyrtare, po vërehet një fjalor më i ashpër politik ndërmjet kandidatëve për kryetar komunash.

“Sidomos në debatet publike, të cilat po organizohen nëpër televizione, aty ka një gjuhë më të ashpër, po i shfrytëzojnë edhe konferencat për media për të bërë akuza ose kundërakuza në drejtim të kandidatëve të tyre”, thotë Krasniqi.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 9, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 komuna, kurse Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga një komunë.

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po i bën përgatitjet finale për mbajtjen e balotazhit për organet vetëqeverisëse lokale, që do të mbahen në 19 komunat e Kosovës.

Kurse, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 22 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës, një komunë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel vendi ka arritur të fitojë në 2 komuna.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë në rrethin e parë në asnjë komunë, sikurse Aleanca Kosova e Re, NISMA dhe Alternativa.

Kurse, Lista Serbe ka fituar 9 komuna./REL

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*