Tekstet shkollore me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni ende kanë përmbajtje fyese, nxitje ndëretnike dhe gabime tjera absurde, përfshirë edhe ato në raportet e saj me fqinjët, apo mësimin e gjeografisë dhe historisë së tyre.

Në librin e gjeografisë për klasën e shtatë të shkollës fillore, nxënësit ende mësojnë se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa në një ilustrim të atlasit të gjeografisë, poshtë flamurit të Kosovës, shënon emri Greqi.

Përmbajtje fyese ka edhe në librat e historisë ku në disa pjesë të tyre shqiptarët e Maqedonisë paraqiten si dhunues apo se në zonat e tanishme kanë ardhur në shekullin e XVIII, pasi kanë dëbuar maqedonasit nga tokat e tyre.

Gabime dhe përmbajtje ka edhe në raport me shtetet tjera, para se gjithash me Bullgarinë. Gjatë vizitës së fundit në Sofje, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është zotuar se nga tekstet do të largohen të gjitha fyerjet, dhe kjo sipas tij, do të bëhet në emër të fqinjësisë së mirë.

“Në frymën e miqësisë së mirë kjo duhet të përmirësohet pasi ka pasur njerëz që kanë marrë leje për të shkruar libra me përmbajtje të tillë. Pra, në tekstet shkollor nuk do të qëndrojnë më përmbajtje për fashistët bullgarë, por vetëm si viktima të fashizmit e kështu me radhë. Këtë e bëjmë në të mirë të forcimit të miqësisë e jo të armiqësive”, ka deklaruar Zaev.

Por, në raport me shqiptarët, gabimet mbetet përkundër reagimeve të shumta që janë bërë viteve të fundit. Janë formuar komisione të shumta, por pa dhënë ende ndonjë rezultat konkret.

Hasan Jashari, profesor i shkencave sociale në Universitetin e Evropës Juglindore thotë se përmirësimi i gabimeve dhe largimi i fyerjeve duhet të përfshijë të gjitha tekstet shkollore pasi gabimet janë aq të mëdha sa mund të ketë pasoja të rënda për nxënësit.

“Ky trend duhet të vazhdojë edhe me librat tjerë që fyejnë etnitetet apo grupet e ndryshme religjioze pasi kjo paraqet diskriminim. Në shumë tekste aktuale kemi fyerje që në mënyra të ndryshme nxisin mostolerancën, siç është rasti me fyerjet ndaj shqiptarëve në tekstet e historisë, gjeografisë apo të edukatës muzikore, ku kemi absurditet të llojit të vet, kemi tituj shqip ndërsa brendia e tekstit është me këngë në gjuhën maqedonase”, thotë Jashari.

Ngjashëm vlerëson edhe profesori i gjuhës shqipe, Avzi Mustafa, sipas të cilit, gabimet nuk janë edhe të rastësishme.

“Kemi paragjykime të ndryshme, kemi histori të shkruar nga politika ditore, me tekste që nuk janë të dokumentuara në mënyrë shkencore. Kjo ndikon negativisht në ndjenjën e nxënësve. Ai do të rritet, edukohet dhe më vonë do të ketë pasoja pasi ai do të kërkoj mënyra për t’u mbrojtur meqë bashkëkombësin e vet do ta shikojë si një armik”, thotë Mustafa.

Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit që tani drejtohen nga kuadër shqiptar thonë se po punojnë intensivisht për të zgjidhur këtë problem të madh që nxënësit njëherë e përgjithmonë të mos përballen me përmbajtje fyese dhe gabime në tekstet shkollore.

“Në Byronë për Zhvillimin e Arsimit jepen mendime profesionale sesi duhet të jetë një tekst shkollor. Ato do të shqyrtohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga ana jonë dhe pastaj për këtë duhet të vendosë një komision tjetër që do të caktohet nga Ministria e Arsimit. Ne do të punojnë dhe insistojmë që gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën, të mos ndodhin asnjëherë”, thotë Rizvan Bela, drejtor i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. /

REL