Në Kolonjë të Lushnjës, dhimbja është e madhe për familjen Halili. Njëri nga djemtë, 22-vjeçari Estref Halili, ndërroi jetë pasi u vetëvar në qelinë e burgut Rrogozhinë.

Prindërit e tij, Hartjan dhe Entela Halili, thonë se në burg duhet të ishin persona që transportojnë drogë me kamionë dhe jo djali i tyre që u kap me cigare hashash.

Estref Halili 2

Pas futjes në burgun e Rrogozhinës, i fundit që e takoi ishte vëllai i tij. Sipas tij Estrefi ka qenë i heshtur por ka shfaqur zemërimin pse ishte arrestuar përsëri për konsum të lëndëve narkotike.

Dënimin e parë i riu e kishte marrë kur ishte 18 vjeç me pesë vjet burgim për konsum të lëndëve narkotike. Arriti të kryente dy vjet e gjysmë dhe në shkurt të 2016-ës është liruar nga burgu i Kosovës së Lushnjës.

Estref Halili 3

Me 22 dhjetor 2016, Estref Halili arrestohet për herë të dytë. Përsëri për një cigare hashash dhe një thikë, të cilat iu gjetën në automjetin e tij nga policia. Në burgun e Rrogozhinës 22-vjeçari ishte në pritje të marrjes së dënimit.

Sipas familjarëve dhe shokëve të viktimës, shpesh herë Estrefi ishte nën shënjestrën e policisë. Atij i bëheshin kontrolle të shumta sa herë ndeshej në rrugë nga policia.

Halili u gjet i vetëvarur me litarin e tutave të sportit që i mbante veshur në tualetin e dhomës së burgut Rrogozhinë mbrëmjen e së martës, nga shokët e tij./ tvklan.al