“Flauti magjik”, opera e përcaktuar në kalendarin artistik që në kohën e ish drejtorit Ilir Kerni është premiera e parë që do të vihet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, pas një sezoni të nisur me rivënie.

E shkruar nga një mason i lozhës vieneze dhe e kompozuar po nga masoni, austriaku, Wolfgang Amadeus Mozart, edhe skenografi të fton te ky urdhër i cili luajti një rol të rëndësishëm në jetën dhe krijimtarinë e kompozitorit.

Për Nikolin Gurakuqin, regjisorin e kësaj vepre të cilësuar si më e madhja e Mozart, ku ariet filluan për herë të parë edhe të recitohen, ishte një sipërmarrje jo aq e lehtë.

Në opera, mbretëresha e natës, e cila interpretohet nga sopranoja turke Serenad Uyar, bind princin Tamino të shpëtojë Paminën, vajzën e saj, nga robëria ku e mban prifti Sarastro. Ai mëson shumë nga idealet e larta të këtij komuniteti dhe kërkon të bëhet pjesë e tij.

Fillimisht të ndarë dhe më pas bashkë, Tamino dhe Pamina, përballen më disa prova të forta të cilat i fitojnë dhe ku mbretëresha e  natës dhe mbështetësit e saj mposhtën. E gjithë kjo përrallë, që rrëfen luftën mes forcave të bardha dhe të errëta, mes shpirtërores dhe materiales, dashurisë dhe se keqes do të vijë nën dirigjimin e austriakut Pierre Pichler. Premiera në të dielën e 23 Tetorit shënon edhe 60 vite marrëdhënie Shqipëri-Austri.

Tv Klan