lulzim bashakRaportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshje mes maxhorarancës e opozitës, që do të bëjë të mundur kthimin e demokratëve në Kuvend, në seancën plenare të 24 dhjetorit.

Optimizmi i buron nga takimet që pati një ditë më parë me Kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarin Meta dhe sot me kryetarin e opzitës, Lulzim Bashën.

Knut Fleckenstein – Raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian: “Kam pasur një bashkëbisedim shumë të mirë dje me kryetarin e parlamentit dhe Kryeministrin dhe sot me zotin Basha. Dhe jam vërtet optimist që do të gjendet një zgjidhje e mirë javën e ardhshme për t’u bashkuar në parlament. Vërtet besoj kështu dhe jam shumë optimist”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu edhe njëherë vullnetin e opozitës për të parë përpara dhe për të pasur një kuvend të dekriminalizuar e ku sundon ligji.

Lulzim Basha – Kryetar i PD: “Procesi që sapo ka nisur është një proces komunikimi. Mendoj se i vlen rezultatit që presim jo vetëm ne si opozitë, por edhe qytetarët shqiptarë: një parlament mirëfunksional ku përfaqësohen interesat e tyre, ku flitet për interesat e tyre, ku zbatohet dhe respektohet Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit, ligjet, e ku fjala e lirë nuk kërcënohet dhe as nuk dhunohet nga përfaqësues të krimit të organizuar”.

Pas takimit të zhvilluar me kreun e demokratëve Lulzim Basha, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein mësohet të ketë zhvilluar sërish bisedime me përfaqësuesit e maxhorancës. Per të arritur një marrëveshje mes maxhorancës e opozitës, në datat 21 dhe 22 dhjetor në Tiranë do të mbërrijë edhe eurodeputeti Eduard Kukan, negociatori tjetër i mandatuar nga Parlamenti Europian për këtë çështje.

Tv Klan