Alexander-ArvizuTeksa në parlament diskutohej projektligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i  miratuar më vonë, Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u takua me tre deputetë të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi për të diskutuar për reformën në drejtësi.

Pas takimit ai zbuloi edhe detaje të bisedës, duke thënë se kjo reformë, përfshirë këtu ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, edhe pse është përparësi urgjente për vendin, duhet të jetë gjithpërfshirëse, e mirë konsultuar me të gjithë aktorët dhe nuk mund të bëhet dot brenda një natë.

Aleksandër Arvizu – Ambasador i SHBA në Shqipëri: “Këndvështrimi i SHBA-së për reformën është konseguent. Biem dakord që reforma është një nevojë urgjente për vendin. Përmend KLD-në sepse e di që del shpesh në lajme. Qartazi KLD ka qenë pjesë e këtij diskutimi. Duke parë performancën e pabarabartë të KLD, ndonjëherë KLD duhet të jetë pjesë e këtij diskutimi. Eshtë pikëpamje e SHBA-së që qasja më efektive është ajo që është gjithëpërfshirëse, e duhura kur njerëzit marrin kohën e duhur dhe mënyra më e mire është pjesëmarrja e plotë në parlament si dhe konsultime të plota me të gjithë aktorët, si aktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarët, si Komisioni i Venecias, Euralius, OSBE dhe të tjerë. Pozita jonë është shumë e ngjashme me atë që është paraqitur nga delegacioni i BE-së. Më lejoni ta rithem që këndvështrimi ynë është duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet sistemi gjyqësor qasja më e mirë ajo gjithëpërfshirëse që merr parasysh të gjithë elementet. Nuk mund të zgjidhet brenda natës, kërkon kohë dhe përpjekje të sinqerta nga të gjitha partitë.

Delegacioni i Bashkimit Europian, në një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafës, i sugjeron që reforma në drejtësi duhet të kryhet nën udhëheqjen e Komisionit të Venecias dhe bashkëpunim të ngushtë me misionin Euralius.

Po në këtë letër, të mbërritur në Komision teksa në mbledhjet e tij diskutohej ligji për KLD –në, prezenca e Komisionit Europian në Tiranë i sqaron Kuvendit se Euralius e nis misionin e tij më 1 Shtator.

Tv Klan