Elsedid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares, sot një nga më të mirët në Evropë e nisi futbollin para 14 vitesh. I shoqëruar nga babi i tij, Gëzimi, ai u paraqit tek trajneri Taip Piraniqi.

“Ditën e parë, të dytë, të tretë…shikoj një fëmijë që kishte dëshirë vetëm të mbante topin. Ky ka qenë prezantimi i parë i Hysës. Me një pasion pastaj për të ardhmen e tij, me një vullnet dhe karakter të jashtëzakonshëm.”

Piraniqi kujton një situatë në dhomat e zhveshjeve, ku kuptoi se ky djalë do të bëhej i madh.

“Kishte humbur një ndeshje. Pasi shikoj që ikën fëmijët, duke marrë çantat për tu larguar, brenda në dhomë gjej vetëm Hysën duke qarë. Edhe tani emocionohem. E harrova humbjen kur pashë atë karakterin e tij”.

22-vjecari, nga Reçi i Malësisë së Madhe, u largua drejt Italisë si emigrant i zakonshëm, kur ishte 14 vjeç. Sot vlera e kartonit të tij arrin në 20 milionë euro. Arsenali, Bajerni apo Barcelona janë të interesuar për të. /TV KLAN