Detyrimet e prapambetura të shtetit ndaj sektorit privat kanë arritur në 210 milionë Euro në dy vitet e fundit, 2016 dhe 2017. Një raport i programit të parë të post monitorimit të Fondit Monetar Ndërkomëbtar, thotë se sipas vlerësimeve të bëra nga stafi i fondit, borxhet e shtetit ndaj biznesit kanë arritur në 1.7% të prodhimit kombëtar të ndara si më poshtë:

Detyrimi më i lartë në 0.7% të PBB-së është për rimbursimin e tvsh-së nga tatimet, 

0.4% janë borxhe në fusha të tjera dhe infrastrukturë dhe 0.6% janë fatura të papaguara të bashkive.

Nga 93 milionë Euro rimbursim i tatimit mbi vlerën e shtuar, 74 milionë janë moskthim ndaj 3 kompanive të mëdha, shprehet Fondi.

Por edhe pse borxhi publik është në ulje, FMN thotë se ritmi i uljes së tij duhet të jetë më i fortë. Për këtë kërkon edhe disa korrigjime fiskale të cilat mbështeten në rritjen e taksave.

Indeksimi i normës së inflacionit në taksat kombëtare të hidrokarbureve, karbonit dhe asaj të regjistrimit të mjeteve.

Futjen në tvsh për disa makineri të përjashtuara, shitjen e pronave dhe edukimin.

Rikthimin e taksës së tatim fitimit për biznesin e vogël.

Zvogëlimin e pragut për taksimin zero për pagat minimale.

Dhe vendosje e akcizave në veprimtaritë që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, thotë se pavarësisht disa problematikave, Shqipëria vijon një rritje ekonomike të fortë e të qëndrueshme. Për vitin 2018-ë, rritja parashikohet në nivelet 3.6%, ndërsa thuhet se është jetike që qeveria të përfitojë nga hapja e negociatave për në Bashkimin Europian, si një element që do t’i japë shtysë ekonomisë së vendit.

Tv Klan