Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë dritën jeshile për tërheqjen e këstit të radhës prej 36.1 milionë eurosh nga kredia për qeverinë shqiptare.

Në një raport mbi performancën ekonomike të Shqipërisë thuhet se strategjia e konsolidimit fiskal duhet të synojë zgjerimin e bazës tatimore, duke kufizuar përjashtimet nga taksat dhe forcimin e administrimit të të ardhurave.

Më tej, FMN nënvizon se autoritetet kanë bërë progres të rëndësishëm me pastrimin e borxheve në nivelin e qeverisë qendrore, por duhen trajtuar dhe ato të nivelit lokal.

Për të rigjallëruar kredinë për sektorin privat është e rëndësishme të përshpejtohet zbatimi i strategjisë kundër kredisë me probleme, duke përfshirë miratimin e Ligjit të Falimentimit dhe Ligjit të Përmbarimit privat.

Sipas Fondit, reformat e mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit do të jenë kritike për forcimin e aftësisë konkuruese të Shqipërisë.

Fokusi duhet të jetë mbi zbatimin e Reformës Gjyqësore, forcimin e të drejtave të pronësisë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe arsimit.

Tv Klan