Pas aprovimit të këstit të pestë dhe të gjashtë të kredisë për Shqipërinë prej 72.4 mln  euro, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë në një raport prej më shumë se 60 faqe, ku i bën të qartë qeverisë shqiptare rreziqet kryesore fiskale, që i kanosen vendit.

Qeverisë i kërkohet të mbajë nën kontroll borxhin publik, pasi sipas FMN , ai mbetet ende i lartë dhe është burim rreziku.

Të bëhet kujdes me kreditë e këqija pasi niveli i tyre mbetet i lartë, pavarësisht politikave monetare lehtësuese të ofruara nga Banka e Shqipërisë. Për këtë qeverisë i kërkohet zbatimi me rigorozitet i planit të masave, pasi ai është çelësi i rigjallërimit të kreditimit, që ende mbetet i ulët.

FMN kërkon zbatim të reformave në mbledhjen e taksave pasi sipas saj, edhe pse me aksionin kundër informalitetit numri i bizneseve të regjistruara u rrit, kjo nuk solli rritje në xhiron e deklaruar të bizneseve që janë në skemën e TVSH-së.

FMN i kërkon qeverisë edhe anullimin e zerimit të  taksës për biznesin e vogël pasi sipas saj, cënon strategjinë e qeverisë për konsolidimin e financave publike.

Lidhur me nismën e qeverisë për partenitetin publik-privat për ndërtimin e sistemit elektronik në funksion të mbledhjes së TVSH nga tatimet, FMN thotë se çdo vendim i qeverisë do të merret në konsultim me FMN.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se do të përshpejtojë ngritjen e një njësie për të gjitha kontratat koncesionare në vend dhe deri në fund të vitit 2016, kjo njësi do të bëjë të mundur vlerësimin e rreziqeve, që rrjedh nga koncesionet.

Tv Klan