IMF Greece Financial CrisisNë kohën kur qeveria shqiptare pritet të publikojë paketën fiskale 2015-të e cila parashikon ndryshime të disa taksave, Fondi Monetar Ndërkombëtar arrin në përfundimin se Shqipëria e ka konsumuar  “politikën fiskale”, mjetin kryesor që konsiderohet si stabilizant automatik në rast të një depresioni ekonomik.

Në një raport të publikuar më 10 Tetor, për Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, FMN konstaton se Shqiperia nuk mund të presë që rimëkëmbja t’i vijë nga sistemi i taksave, pasi e ka shfrytëzuar tashmë këtë politikë, por ajo mund të përdorë dy mundësi të tjera, si Politika Monetare dhe Kursi i Këmbimit, siç pasqyrohet edhe në këtë tabelë.

tabela-fmn

Raporti synon që të nxjerrë në pah se çfarë mund të bëjnë këto vende për të përmirësuar perspektivën e tyre ekonomike, duke nxjerrë qartë në pah politikat që janë shfrytëzuar dhe ato që kanë mbetur.

Gjithashtu Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se për rimëkëmjen ekonomike është e rëndësishme rikuperimi i kredive të korporatave dhe nxitja e investimeve të huaja, nevoja e një strategjie gjithëpërfshirëse në mënyrë që kompanitë e mëdha të biznesit të çlirohen nga borxhet dhe të ulet përqindja e kredive të këqija.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është ndalur edhe tek energjia elektrike, duke patur parasysh varësinë që kanë vendet e rajonit, ndaj importit të lartë të energjisë.

Në këtë mënyrë FMN thotë se, këto vende, kanë nevojë të bashkërendojnë rezistencën ndaj goditjeve që sjell energjia në ekonominë e tyre të brendshshme.

Dhe kjo sipas FMN mund të arrihet me anë të një tregu më të integruar të energjisë, i cili ndihmon vende të veçanta të ulin rrezikun nga goditjet që vijne nga problemet në sektorin energjitik.

Sipas raportit të FMN-së, në tabelë gjenden edhe vende që i kanë humbur të treja mundësitë për rritjen ekonomike të vendeve të tyre, si: Kosova, Kroacia, Maqedonia, Republika Sllovake, Sllovenia apo Ukraina.

Tv Klan