Në kohën kur qeveria po diskuton me grupet e interesit paketën e re fiskale 2017, ku parashikohet që mos të ketë asnjë rritje taksash, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tërhiqet vëmendja pikërisht për taksat dhe efikasitetin e grumbullimit të tyre.

Madje në një raport të fundit FMN i mëshon sërish kërkesës që hiqen përjashtimet tatimore ekzistuese, që në këtë rast ka të bëjë me vendimin e qeverisë që hoqi taksat për biznesin e vogël deri në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

Duke bërë një analizë të sistemit të taksave në Shqipëri, FMN thotë se kalimi në tatim progresiv në vitin 2014 dhe heqja e taksave mbi biznesin e vogël në vitin 2016, po ul efikasitetin e taksave dhe kanë krijuar një mjedis të vështirë për biznesin.

Në raportin e publikuar, në kuadër të rishikimit të gjashtë dhe të shtatë të programit tre vjeçar me Shqipërinë, Fondi thotë se konsolidimi fiskal në vendin tonë po bëhet i vështirë për shkak të dizenjimit të dobët të sistemit fiskal.

Sipas FMN, kontrast përbën fakti që edhe pse Shqipëria ka normat e taksave në nivele të njëjta, ose më të larta se të vendeve fqinje, ajo ka një efikasitet fiskal më të ulët se këto vende.

Shqipëria, thuhet në raport, humbet 34 deri 39 përqind e arkëtimeve të mundshme të TVSH – së, nga 15% që llogaritet ky nivel në BE.

Për këtë arsye, FMN i bën thirrje qeverisë të rrisë efikasitetin e të ardhurave në administrimin e TVSH – së.

FMN thotë se qeveria shqiptare duhet të përmbahet nga dhënia e ndonjë përjashtimi tjetër tatimor, pra heqja e taksave për kategori të caktuara dhe i bën thirrje që të heqë ato ekzistueset. Për të mbështetur këtë këshillë, FMN thotë se po përgatit edhe një studim.

Tv Klan