Një i arrestuar dhe 27 të shoqëruar është bilanci i një operacioni të gjerë policor në Elbasan, ku morën pjesë edhe njësitë RENEA dhe forca të FNSH-së. Operacioni vjen tre ditë pas incidentit të rëndë, ku makina e zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit u godit nga një automjet i blinduar.

Policia tha se aksioni lidhet me verifikimin e personave që dyshohet se posedojnë pasuri me prejardhje kriminale.

Nga veprimet e deritanishme janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, ambiente dhe automjete të ndryshme që nuk justifikojnë burimin e parave. Paralelisht në Tiranë u bllokuan dy apartamente dhe 660 mijë dollare në pronësi të tre personave.

Nga Elbasani, kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako foli për një bashkërendim të punës edhe me organet e tjera ligjzbatuese.

“Kërkojmë angazhim maksimal edhe të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, të Gjykatave dhe të gjithë sistemit të Drejtësisë, duke u bërë pjesë e një barrikade të jashtëzakonshme që do t’i bëhet krimit”.

Kreu i Policisë së Shtetit kërkoi që operacioni për identifikimin e pasurive të personave apo grupeve kriminale të vijojë më tej, po ashtu edhe bllokimi i mjeteve luksoze që dyshohet se mund të jenë trafikuar nga jashtë, apo që mund të lëvizin pa dokumentacionin përkatës.

Prej dy ditësh, në rrugët e Elbasanit vihet re një prani e shtuar e forcave të policisë pas incidentit të ditës së hënë. Në kërkim janë 3 persona, të cilët ishin pjesë e grupit që goditën makinën e zv/drejtorit të policisë.

Tv Klan