dollare dhe euroDollari amerikan ka shënuar një forcim të ndjeshëm në tregun e brendshëm, ku vetëm në muajt shtator, tetor dhe nëntor të këtij viti, është shtrenjtuar kundrejt lekut dhe euros, me 10%.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në janar të këtij viti 1 dollar blihej afërsisht me 102 lekë dhe shitej me 103 lekë, ndërsa aktualisht blihet me rreth 112 lekë dhe shitet me 113 lekë.

Sipas ekspertëve të ekonomisë Adrian Civici dhe Arjan Kadare, ky trend i forcimit të dollarit lidhet me efektet e forcimit të ekonomisë amerikane dhe ndryshimit të krahut të politikës monetare të Bankës Qendrore Amerikane si edhe me kursin e ri të Bankës Qendrore Europiane.

Kjo tendencë e dy monedhave, pra e forcimit të dollarit dhe dobësimit të euros pritet të reflektojë edhe në tregun shqiptar. Sa i përket këtyre efekteve ekspertët nuk ndajnë të njëjtin qëndrim.

Për Kadarenë forcimi i dollarit amerikan mund të çojë në rritjen e disa çmimeve në vendin tonë, përfshirë këtu edhe rritjen e çmimit të karburantit.

Parashikime të zymta jepen edhe për ata persona që kanë marrë kredi në dollarë.

Sa i përket ndikimit në çmimin e naftës, Civici thotë mendon se do të ndikojë në të kundërtën, duke e ulur çmimin e naftës megjithëse kjo varet nga politikat fiskale

Civici mendon se forcimi i dollarit kundrejt euros mund të çojë Shqipërinë në riorientim të eksporteve dhe importeve drejt zonës euro.

Ndërsa thotë se dobësimi i euros mund të  ndikojë në dobësimin e kostos për ato që japin kredi në euro.

Ekspertët thonë se forcimi i dollarit kundrejt lekut dhe euros parashikohet të jetë tendencë në dy vitet në vazhdim.

Tv Klan