Një 27-vjeçar shqiptar, për të cilin autoritetet italiane nuk kanë bërë ende të ditur emrin, mbeti i plagosur mbrëmjen e së mërkurës, pas një atentati me armë. Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 20:30 minuta, në Busto Garolfo të Milanos.

27-vjeçari ndodhej në rrugën Mazzini, kur një makinë me ngjyrë të errët iu afrua dhe hapi zjarr ndaj të tij. Autori mësohet se qëlloi të paktën 3 herë në drejtim të shqiptarit, por fatmirësisht vetëm një prej plumbave e kapi të riun, i cili mbeti i plagosur në kraharor.

Sipas mediave fqinje, në përpjekje për të kërkuar ndihmë, shqiptari i plagosur arriti të shkonte në një lokal në rrugën Cadorna, ku dhe klientët dhanë alarmin.

Menjëherë në vendngjarje mbërriti ambulanca dhe 27-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

Ndërkohë në vendngjarje, policia sekuestroi kamerat e sigurisë të lokalit përballë të cilit ndodhën të shtënat me armë. Autoritetet italiane mësohet se kanë kontrolluar të gjithë zonën përreth, pas dyshimeve se autori mund ta kishte hedhur pistoletën aty pranë.

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”414″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]Nuk ka ende të dhëna rreth autorit të kësaj ngjarjeje, apo pistave të mundshme të hetimit. Pritet që më shumë detaje të zbardhen gjatë orëve në vijim.

/tvklan.al