Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës në disa rrethe, të cilat kanë shkaktuar edhe rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore kanë bërë që Drejtoria e Policisë Rrugore të bëjë apel për kujdes të shtuar në qarkullim.

Megjithëse Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë shtrirë në të gjithë akset problematike, ku orientojnë drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes dhe të rregullojnë shpejtësinë, shiu, dëbora dhe errësira vështirësojnë lëvizjen dhe shtojnë rrezikun për aksidente rrugore.

Policia bën thirrje të moderohet shpejtësia, të mos kryhen parakalime të gabuara, të vendoset rripi i sigurimit, kaskat mbrojtëse për biçikletat dhe motoçikletat.

Sipas policisë, në akse si Rruga e Kombit apo akse të thella malore ku ka prezencë të dëborës këshillohet qarkullimi me zinxhirë pavarësisht trashësisë së dëborës.

Në rast nevoje qytetarët janë të këshilluar të telefonojnë menjëherë në numrat pa pagesë 112 e 129  dhe do të ndihmohen nga Patrullat e Policisë Rrugore dhe ato të Përgjithshme.

/tvklan.al