Guido Andrea Guidi ka pranuar se kishte ardhur në Shqipëri për të transportuar kanabis nga pista e improvizuar në Ishëm, të Durrësit, aty ku edhe u dëmtua avioni i tij gjatë uljes.

Gjatë marrjes në pyetje 69-vjeçari ka nxjerrë emra bashkëpunëtorësh shqiptarë dhe italianë, të cilët e kishin kontaktuar për të transportuar sasi të mëdha droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Personat e përmendur prej tij janë vënë tashmë nën hetim. Krimet e Rënda mësohet se kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e autoriteteve italiane për të thelluar hetimet.

avioni brenda OK

Në rrëfimin e tij, Guidi ka bërë të ditur se ky ishte fluturimi i tij i parë në brigjet shqiptare.

Sipas koordinatave, ai i është afruar zonës së Ishmit, ku narko-trafikantët i kishin thënë se do te gjente një pistë të improvizuar.

Mëngjesin e të enjtes, rreth orës 8.30 ai e ka parë pistën dhe ka tentuar të ulet. Gjatë manovrave për të parë nga afër vendin ka humbur kontrollin. Ka tentuar të ringrihet, por avioni ka prekur në tokë dhe ka përfunduar në një zonë me shkurre.

Guido Andrea Guidi nuk ka pësuar dëmtime. Ai ka njoftuar policinë, por prokuroria dyshon se ai përpara kësaj ka bërë telefonata edhe me anetarë të rrjetit të narko-trafikut për t’i njoftuar se puna e tij dështoi.

Hetuesve, Guidi u tha fillimisht se kishte përfunduar aksidentalisht në Shqiperi, por më vonë pranoi se ishte përfshire në një rrjet të trafikut të drogës.

Në rrugën e parë ai vetëm do të njihej me pistën dhe pas pak ditësh do të ishte rikthyer për të marrë si fillim 200 kilogramë kanabis.

Pasi ka pranuar të bashkëpunoje me prokurorinë, Guido Adrea Guidi u la i lirë rreth mesnatës. Ai është vendosur në një hotel në Durrës dhe po mbahet nën mbikëqyrje.

Italianit i janë sekuestruar dokumentet e identifikimit dhe nuk lejohet të largohet nga Shqipëria. Pritet që ai të rimerret përsëri në pyetje nga Prokuroria për Krimet e Rënda.

Gjatë të premtes në prokurori janë paraqitur edhe përfaqësues të Ambasadës Italiane. Informacion është kërkuar dhe nga misioni italian Interforce.

Policia dhe prokuroria vazhdojnë të mbledhin prova edhe në vendin ku ra avioni. Tv Klan ka mundur të sigurojë dy fotografi ka brenda avionit ku duken edhe disa prova materiale të marra tashmë nga prokuroria.

brenda avionit

Aty ndodhet një bllok i zi dhe një shishe uji të cilat janë dërguar për ekspertim. Pranë avionit janë gjetur dhe disa gjurmë gishtërinjsh të cilat janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme./ TV KLAN