Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj u gjeten të pajetë me dhjetëra plumba në trup në makinën tip Audi S8.

Televizioni Klan arriti të sigurojë një foto të bërë menjëherë pas atentatit, por nuk do ta bëjë publike atë të plotë për shkak se skena është e rëndë.

Dautaj ishte në timon dhe u gjet i mbështetur në sedilje, me kokën e anuar në të djathtë. Ndërsa ish –shefi i Krimit Ekonomik në policinë e Tiranës, i përmbysur në drejtim të shoferit.

Pamjet tregojnë se ata kanë marrë goditje të shumta. Shenja të plumbave ka në dyer e në kroskotin e makinës, që pas breshërive doli nga rruga dytësore pranë Sukthit dhe përfundoi në autostradë. 

Burime nga grupi hetimor bënë me dije për Televizioni Klan se dy makina dyshohet të kenë marrë pjesë në planin për ekzekutimit të dy të rinjve.

Një BMV X5 i ka ndjekur sapo kanë dalë nga një servis, rreth 100 metër larg vendit të ngjarjes. Ndërsa një makinë tjetër dyshohet se i ka prerë rrugën Audit S 8, një prej makinave më të shpejta të viteve të fundit.

Një person nga BMV –ja që i është afruar në parakalim në drejtimin e lëvizjes Tiranë – Shijak, dhe ka qëlluar një karikator kallashnikovi.

Policia gjeti 32 gëzhoja në vendin e ngjarjes.

Pas daljes se Audit nga rruga, BMV-ja me ngjyrë të zezë, sipas disa dëshmitareve, ka vazhduar rrugën me shpejtësi në drejtim të Shijakut, ndërsa makina tjetër në drejtim të Tiranës, në rrugën dytësore.

Pak momente përpara atentatit Dalipaj dhe Dauti, sapo kishin dalë nga një servis makinash rreth 100 metra nga vendi i ngjarjes.

Bashkë me ta kanë qenë edhe dy vajza, me një Smart. Ato janë identifikuar dhe janë marrë në pyetje nga policia, së bashku me punonjësit e servisit. Kanë treguar se i njihnin viktimat dhe se kishin kërkuar ndihmën e tyre për të rregulluar makinën dhe për ta kaluar në kolaudim.

Ndërsa punonjësit treguan vetëm se kishin dëgjuar të shtëna armësh pak pas largimit të dy të rinjve.

Policia gjeti në makinën e viktimave një pistoletë dhe rreth 7 mijë euro, 5 mijë në portofolin e ish –oficerit të policisë dhe 2 mijë në atë të Dautajt.

Hetuesit kanë sekuestruar materialet filmike të 7 bizneseve të zonës dhe po kërkojnë të tjera në përpjekje për të identifikuar autorët.

Pistat e hetimit mbeten dy: Dyshohet se shënjestër e atentatit të ketë qenë Juxhin Dautaj. Kjo për faktin se shumica plumbave janë krahun shoferit që ishte pikërisht Dautaj. Ai ishte dënuar për vrasjen e Fation Banit në Vlorë me 24 vjet burg, por ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata e Apelit. Dyshohet gjithashtu të jetë përfshirë edhe në një vrasje në Shijak një vit më parë.

Pista tjetër është ajo e ekzekutimit të Ervin Dalipajt për llogari të vrasjes së Gazmend Çollakut, 15 muaj më parë. Ai ishte shpallur në kërkim, ndërsa miku i tij Denis Shtraza është arrestuar dhe po gjykohet. Për shkak të dyshimeve për lidhje mes dy ngjarjeve, hetimi edhe për vrasjen e dyfishtë është marrë përsipër nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Tv Klan