Një shpërthim me eksploziv troditi mbrëmjen e së hënës qytetin bregdetar të Durrësit. Gerti Aleksit, Nëndrejtor i ALUIZNI -t në Durrës, iu vendos rreth 50 gramë tritol në makinën që ai përdorte.

Sipas policisë, lënda shpërthyese ishte vendosur në pjesën e përparme të automjetit, i cili ishte parkuar poshtë pallatit ku banonte Aleksi, në sheshin Taulantia.

Fuoristrada që përdorej nga Nëndrejtori i ALUIZNI -t ishte në pronësi të një të afërmi të Gerti Aleksit. Automjeti ishte parkuar prej më shumë se një ore pranë një garazhi. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.

WhatsApp Image 2016-11-14 at 6.47.41 PM

Mënjeherë pas ngjarjes, policia e Durrësit mori në pyetje Aleksin. Ky i fundit deklaroi se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori i vendosjes së eksplozivit në makinë.

Pista kryesore e hetimit është se tritoli u vu si paralajmërim për Nëndrejtorin e ALUIZNI -t, për shkak të detyrës së tij. Policia sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë afër vendit ku ndodhi shpërthimi, për të zbuluar autorët e vënies së tritolit.

Deri më tani mësohet se janë shoqëruar të paktën 20 persona./tvklan.al

WhatsApp Image 2016-11-14 at 6.47.42 PM (1)