I përditësuar/ Shkon në 1.7 ton, droga e sekuestruar në Karaburun të Vlorës. Gjatë orëve të pasdites, policia ka gjetur edhe 8 pako të tjera të madhësive të ndryshme me kanabis, duke e çuar numrin në 104 pako.

Policia sqaron se, pas peshimit të të gjithë lëndës narkotike të sekuestruar gjatë këtij operacionit, rezultoi se pesha e saktë është 1708 kilogramë.

Më herët policia njoftoi zbulimin e mbi 1 ton kanabis në gjirin e Bristanit, rreth 100 metra nga bregu i detit, e fshehur në shkurre.

Ajo ishte e ndarë në 96 pako të madhësive të ndryshme dhe ishte destinuar për t’u trafikuar.

Aktualisht autoritetet Kufitare, në bashkëpunim me ato vendore, Njësinë Delta e Guardia Di Finanza, që bënë të mundur edhe finalizimin e këtij operacioni, vijojnë punën për kapjen e autorëve të mundshme, si dhe mjeteve të transportit.

Policia thotë gjithashtu se operacioni për zbulimin e drogës, që nisi të hënën, vijoi gjatë gjithë natës dhe u finalizua të martën, u zhvillua në kushte shumë të vështira të terrenit dhe të motit, me një det me forcë 4 – 5 ballë./tvklan.al