Rritet tensioni në zonën e ishujve të pabanuar në kufirin detar greko-turk. Tensioni që vazhdon që prej fundit të Janarit sot mori përmasa të tjera teksa dy luftanije greke dhe turke u vunë ballë për ballë në afërsi të ishujve Imia (ose Karadak në Turqisht) në Detin Egje.

Agjencia turke e lajmeve “IHA” tha se rreth orës lokale 18:30 të martën (16:30 me orën shqiptare), një luftanije greke iu afrua ishujve të diskutueshëm. Në të njëjtën kohë në zonë u afrua edhe një luftanije turke, në përpjekje për t’i prerë rrugën asaj greke.

“IHA” tha se dy luftanijet e dy vendeve anëtare të NATO-s ishin vetëm rreth 100 metra larg njëra-tjetrës.

Sipas saj, mes dy luftanijeve hyri një anije patrullimi e rojës bregdetare turke, e cila bëri manovra të ndryshme për largimin e luftanijeve.

Dy luftanijet më pas ndryshuan kurs dhe u larguan nga zona e diskutueshme. Anija greke lëvizi drejt ujërave greke ndërsa luftanija turke u rikthye në portin e Bodrumit.

Ardhja e luftanijes greke në zonë mendohet të ketë ardhur si kundërpërgjigje ndaj një vizite që një anije turke patrullimi bëri në ishujt e diskutueshëm mesditën e sotme.  Anija me 56 oficerë turq u afrua deri në 2 metra larg ishujve dhe qëndruan për 10 minuta duke fotografuar vendin, tha media turke.

Në 1996-ën Turqia dhe Greqia u përplasën në atë që njihet si Kriza e Karadakut. Të dy shtetet zbarkuan ushtarë në dy ishujt e pabanuar dhe për pak u shmang një përplasje frontale mes dy ushtrive.

Dy ishujt e vegjël shkëmborë të Imias apo Karadakut ndodhen në Detin Egje mes vargut të ishujve grekë Dodecanese dhe brigjeve jugperëndimore të territorit turk.

Situata mes dy fqinjëve u acarua sërish këtë vit, pasi më 29 Janar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë turke lundroi me anije rreth ishujve, ndërsa menjëherë më pas, Ministri grek i Mbrojtjes fluturoi afër ishujve dhe hodhi kurora në det në nderim të ushtarëve grekë të vrarë në vitin 1996. /tvklan.al