Presidenti Trump mori sot pjesë në ceremoninë që u zhvillua në bazën ushtarake në Norfolk të Virginias, për inaugurimin e anijes USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë.

Ndërtimi i së anijes që ka kushtuar rreth 13 miliardë dollarë. Presidenti mbajti një fjalim në ceremoninë simbolike, ku theksoi një nga përparësitë e administratës së tij, fuqizimin e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Ai tha se luftanija “i dërgon botës një mesazh prej 100 mijë tonësh, i cili do t’i bëjë të dridhen nga frika armiqtë tanë.”

Trump e vizitoi anijen gjatë ndërtimit në muajin mars dhe premtoi se flota e aeroplanmbajtësve të tipit Ford do të ishin në qendër të pranisë ushtarake amerikane në mbarë botën.

Anija filloi të ndërtohej në vitin 2009, dhe ishte në plan të përfundonte në vitin 2015, por për shkak të kostos së madhe, inaugurimi i saj u vonua.

Presidenti Trump kritikoi administratën e mëparshme “që e dobësoi gatishmërinë ushtarake të Amerikës” dhe i bëri thirrje Kongresit që “të bëjë punën”, duke miratuar fonde të qëndrueshme për ushtrinë.

USS Gerald R. Ford është anija ushtarake më e kushtueshme e ndërtuar ndonjëherë. Ajo mban emrin e Presidentit të 38-të të Shteteve të Bashkuara, Gerald Ford.

Marina amerikane thotë se do të duhen 43 miliardë dollarë për të ndërtuar tre anijet e para të klasit Ford, përfshirë luftanijen USS John F. Kennedy, që mbavn emrin e Presidentit të 35-të të SHBA dhe USS Enterprise. /VOA