Gjykata e Lezhës ka vendosur sekuestro preventive ndaj disa pasurive të paluajtshme, të cilat kanë rezultuar të ndërtuara me leje të falsifikuar. Zyrtarisht bëhet me dije nga Policia e Lezhës se janë sekuestruar pallate në ndërtim në Kune Shëngjin në pronësi të administratorit Agustin Uldedaj.

Konkretisht është vënë nën sekuestro një pallat 5-katësh me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë dhe në proces ndërtimi kati i fundit, si dhe një pallat 7-katësh me sipërfaqe 4712 metra katrorë në proces ndërtimi kati i fundit. Gjithashtu, është vendosur nën sekuestro preventive një truall me sipërfaqe 1146.6 m2, në lagjen “Besëlidhja”, e cila rezulton në pronësi të Bledar Deda.

Për të dyja këto raste, lejet e ndërtimit kanë qenë të falsifikuara, thotë policia. Hetimet po bëhen nga Prokuroria për veprat penale të ndërtimit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve.

/tvklan.al