I konsideruar si “stolia e Tiranës së gjeneratës tjetër”, segmenti i parë i Bulevardit të Ri sëbashku me parkimin nëntokësor ka përfunduar dhe është gati për t’u hapur sonte në orën 20:30 përmes një koncerti fantastik të organizuar nga Bashkia e Tiranës .

 Organizatorët kanë menduar që festa të zhvendoset sot nga sheshi “Skënderbej” ku çdo natë ka pasur aktivitete të pasura muzikore, tek Bulevardi i Ri.

 Në koncert do të marrin pjesë tre nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare, Juliana Pasha, Olta Boka dhe Kejsi Tola që sëbashku me bandën muzikore që i shoqëron, garantojnë një spektakël të vërtetë.

 Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të jenë sot të pranishëm në një tjetër mbrëmje të paharrueshme për kryeqytetin.

“Një kryevepër për Tir❤️nën tonë, takohemi të gjithë aty bashkë me Juliana Pasha, Olta Boka e Kejsi Tolën!”, shkruan Veliaj.

 Bulevardi i Ri sjell zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e qytetit, në lidhje me transportin, trafikun, infrastrukturën urbane. Projekti i Bulevardit Verior dhe Parkut Qëndror të Tiranës është një ndër projektet më të rëndësishme strategjike të Bashkisë Tiranë dhe administrata e re i ka vendosur nivelin maksimal të vëmendjes, duke e kthyer në një projekt real, të prekshëm dhe me impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe komuniteti i biznesit. Gjithashtu, një komponent i rëndësishëm është edhe ndërtimi i parkimit nëntokësor me kapacitet mbi 300 vende i pajisur dhe me pikë të karikimit të makinave elektronike./tvklan.al