25 vjet luajti për të njëjtën fanellë. Francesco Totti largohet nga Roma pas një jetë në fushë aty. Numri 10 u kthye në legjendë, nga ato të rrallat që ndoshta nuk do të përsëriten më kurrë.

Pas fitores në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Genoas, për kapitenin ishte rezervuar një ceremoni lamtumire që zgjati afro 40 minuta.

Një stadium i tërë, ai Olimpico i Romës i mbushur me lot dhe emocione i dha lamtumirën kapitenit, njeriut që frymëzoi skuadrën dhe tifozët në 25 vite.

Një përqafim i gjatë me familjen e tij emocionoi të gjithë stadiumin. Më pas një xhiro rreth fushës për të falenderuar të gjithë ata që ende e quajnë kapitenin e tyre.

Më pas një falenderim për të gjithë ata tifozë që e kanë mbështetur gjatë 25 viteve me fanellën e Romës.

Largimi i Tottit ka emocionuar jo vetëm të pranishmit në Olimpico. Në rrjetet sociale një prej miqve të tij më të mirë, Allessandro del Piero i uron një të ardhme të mirë.

Trajneri aktual i Juventusit jep një duartrokitje për karrierën e tij të jashtëzakonshme./Tv Klan