Një shqiptar i arrestuar muaj me parë me 500 mijë paund kokainë është dënuar të hënën me shtatë vite burg nga një gjykatë në Britani.

Emigranti i paligjshëm që “Kilburn Times” e identifikon si 35-vjeçari Sami Docat, u kap me 878 gr kokainë në makinë (me vlerë 219 250 paund) dhe më pas i gjetën edhe 927gr në pallatin e tij në rrugën Selsdon (me vlerë 266 340 paund). Ai u arrestua Gushtin e kaluar, dhe i’u sekuestruan edhe 26 mijë paund kesh.

Docat po përdorte një identitet fals portugez dhe nuk dihet kur kishte hyrë në Britaninë e Madhe.

Ai pranoi se ishte përfshirë në trafikun e drogës për të larë një borxh prej 8 000 paundësh që i’a kishte borxh një bande trafikimi njerëzish, të cilët e kishin futur në Britani. Por, prokurori tha se shqiptari kishte një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës.

Shqiptari jetonte në të njëjtin pallat me të dashurën e tij Marina Seinopoulou, 31-vjeçe, e cila tha se e dashuronte Samiun dhe nuk kishte dijeni për trafikimin e drogës.

Ajo u dënua me tre vite burg pasi ishte në të njëjtën makinë me shqiptarin në momentin e arrestimit. /tvklan.al